Ben Blushi: Varrezat ishin mbushur me gropa bosh që njerëzit i bënin gati për vete dhe të afërmit

ben blushi lako dren zotin
Ben Blushi

Nga Ben Blushi

Kur Ibrahimi mbushi 50 vjeç në fshat ra kolera.
Në qershor disa ushtarë turq që vinin nga larg për të shkuar në Janinë, ndaluan disa orë për t’u çlodhur. Ata u lanë dhe pinë ujë, duku e futur gojët e etura në çezmat prej guri që kishte ngritur Arianit Komneni, në mes të fshatit. Njëri prej tyre e kishte sjellë sëmundjen nga shkretëtira dhe pa e ditur ia kaloi çezmës së Arianitit. Një djali të vogël, që lagu buzët atje , iu fry barku si kacek dhe ethet e padurueshme ia shkatërruan sytë dhe veshët derisa vdiq. Tek e njëjta çezmë ishte freskuar edhe Vasili, i cili duke bërtitur nga dhimbjet i kërkoi Hanës që ta mbështillte me batanije dhe ta digjte të gjallë për të mbytur mikrobin. Por Hana nuk pranoi dhe Vasili doli në oborr dhe u ngul mbi një sfurk. Pas tij dha shpirt mbesa e vogël e Mihalit dhe e Zoicës, e cila nuk vuajti gjatë, por vdiq në gjumë e mbuluar me të vjellat e veta. Pas saj u shuan me radhë kunata e vëllait të Mihalit dhe vetë Zoica.

Ashtu si Mihali përpara njëmbëdhjetë vjetësh, kolera kapërceu gardhin që ndante dy oborret dhe hyri në shtëpinë e Ibrahimit. Ibrahimi luftoi për shumë ditë duke përdorur gjithë dijen që kishte mësuar nga sëmundjet e kafshëve të tij dhe për pak kohë e zbuti kolerën. Por një natë, pabesisht, kolera u zgjua më e uritur se në fillim dhe, para se të linte shtëpinë e Ibrahimit, mori me vete Ademin trevjeçar dhe Anën. Ibrahimi bashkë me djemtë formuan një vig me drurë, e veshën gruan me rroba të bardha dhe i bënë një shëtitje nëpër fshatin e sëmurë, përpara se ta varrosnin në varrezat e të krishterëve. Pastaj morën Ademin e vogël, që nuk kishte nevojë për vig dhe e varrosën në një vend tjetër jashtë fshatit, aty ku, që nga koha e Arianitit, ishte caktuar varreza e myslimanëve. Ademi shkoi i pari në atë varrezë, siç kishte ardhur i pari në jetë Adami, që i kishte dhënë emrin.

Pas tij vdiq Ismail Komneni, që kur e kuptoi se nuk kishte shpëtim, shkoi tek e bija Hana dhe pa i dhënë dorën nga frika e kolerës, tha se ia linte asaj gjithë tokat trashëgim. Hana e ndoqi nga pas të atin dhe pa sesi ai shkoi në pyll dhe aty ku ishte bashkuar me gruan e tij, duke u dridhur nga të ftohtët, hapi një gropë të cekët dhe u fut brenda. Hana nuk duroi dot dhe nxitoi ta mbulonte.

Për tre muaj fshati i ngjau një spitali lufte, dyert e shtëpive rrinin hapur, rrugët mbetën të papastruara, të sëmurët dergjeshin nëpër oborre, varrezat ishin mbushur me gropa bosh që njerëzit i bënin gati për vete dhe të afërmit, çezmat e rrugëve u mbyllën, ndërsa uji i pakët nuk përdorej pa u zier në zjarr. Qentë, macet dhe minjtë e ngordhur shtriheshin të lirë në diell për të ushqyer mizat e pangopura.

Turqit e mbyllën fshatin në karantinë, si një çark dhe askush nuk hyri dhe nuk doli edhe tre muaj pas kolerës. Kur filluan të mbarojnë ushqimet, të afërm dhe krushq të fshatrave fqinjë i linin ato në një vend të caktuar gjysmë ore larg në këmbë ku, pasi ata iknin, shkonte i merrte Petro, djali i Ibrahimit dhe Aleksi, djali i MihaIit. Ushqimet ndaheshin me racion nga Mihali, që duke qenë më i moshuari në fshat, mori rolin e kryetarit të pleqësisë pas vdekjes së Ismail Komnenit, ndërsa ilaçet jepeshin vetëm me urdhër të Ibrahimit që ishte bërë doktori i fshatit. Karantinën e çau vetëm Thanasi, i cili nuk ishte parë në fshat që kur kishte ikur me Ali Tepelenën. Ai bëri kryqin mbi varrin e së ëmës, por nuk shkoi te varrezat myslimane dhe tha që më mirë që nuk e kishte njohur Ademin, se do qante. Thanasi organizoi një grup djemsh me Petron, Aleksin dhe disa të tjerë dhe iu vu punës për të pastruar fshatin. Larguan kufomat e qenve dhe maceve nga rrugët, vunë regjim për përdorimin e çezmave dhe hapën disa gropa të mëdha, në të cilat groposën me dhjetëra kokë bagëti të ngordhura. Thanasi e rregulloi vetë kambanën e kishës që dukej sikur ishte ndryshkur nga kolera dhe filloi ta tundte pas çdo vdekjeje. Ibrahimi u rrinte te koka të sëmurëve duke u bërë lavazh me çaj mali dhe raki.

Pas dy muajsh kolera ishte dobësuar, por nuk ishte zhdukur. Nuk kishte asnjë familje pa një apo dy të vdekur dhe ata që mbetën gjallë ishin aq sa burrat dhe gratë që themeluan fshatin dyqind vjet më parë, me stërgjyshin e Arianit Komnenit në krye.

Ibrahimi i tha Thanasit se nëse vazhdonte kështu, fshati do të shuhej ngadalë për disa muaj.

Nuk e besoj, i tha i biri, ky është një mallkim i shkurtër, por po të ishte Arianiti gjallë do të na e thoshte si mbaron kjo histori.

Të nesërmen që pa gdhirë Thanasi shkoi të takonte Sarën dhe i tha të kërkonte nëpër librat e të atit se çfarë shkruhej për kolerën. I kam parë, tha Sara dhe i tregoi me dhjetëra raste kolerash që kishin shfarosur myslimanë dhe të krishterë në të gjitha qytetet dhe fshatrat e Mesdheut. Kolera është si era, tha Sara.

Të kap në gjumë, e shton vrullin për të të mbyllur nga frika në shtëpi, spastron çdo gjë që gjen në rrugë, pastaj futet tinëz nëpër oxhaqe, shuan zjarrin dhe ikën. Duhet të presim edhe pak, sa të ndizen oxhaqet, tha ajo.

Edhe sa njerëz do të vdesin, e pyeti Thanasi i zhgënjyer nga mënyra poetike me të cilën vazja përshkroi tekat e sëmundjes. Nuk e di , tha Sara, babai e mori me vete librin e vdekjeve.

(Shkëputur nga romani i Ben Blushit “Të jetosh në ishull” )

E përgatiti: A. S.- ObserverKult


ABC news ben blushi lëmoshë

Lexo edhe:

BEN BLUSHI ZBULON BISEDËN ME SHITËSIN E LIBRAVE: SI SHKRIMTAR JE MË I MIRË SESA SI TREGTAR…

Nga: Ben Blushi

Në plazh pashë një burrë që shiste libra.
Si quhesh, i thashë
Florenc, tha
Nga je Florenc?
Nga Cërriku, tha Florenci
Sa ke që merresh me libra?
Kam katër vjet, tha Florenci
Po më parë çfarë pune ke bërë?
Kur isha 12 vjeç shkova emigrant në Greqi
Me familjen?
Vetëm, tha Florenci
Çfarë bëre aty?
Punova në një familje, më mbajtën mirë

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult