Berat Dakaj: Evropa po mbushet me të rinj tanë, kush t’i lexojë librat që botojmë

berat dakaj

Shtëpia botuese “Armagedoni” është themeluar në vitin 2013 në Prishtinë. Në vitin e ardhshëm feston dekadën e parë të veprimtarisë botuese. Deri më tani ka botuar mbi 170 tituj të librave. Dhjetëra botime të saj janë shpërblyer me çmime vjetore nga Ministria e Kulturës e Kosovës dhe nga institucione lokale të Kosovës dhe organizata kulturore.

Për veprimtarinë e saj flet botuesi Berat Dakaj, filolog, gazetar, dramaturg, publicist, i cili e udhëheq që nga themelimi.

Intervistoi: Zamira Rexhepaj

Sa libra ka botuar shtëpia botuese “Armagedoni” vitin e kaluar?

– Më shumë se tridhjetë.

Ç’lloj zhanresh ka botuar?

– Kryesisht letërsi të bukur. Pra, poezi, prozë, publicistikë, drama, kritikë letrare, eseistikë, studime për letërsinë, gjuhën, dramën, kulturën, më tutje revistën për letërsi, kulturë, gjuhë dhe media, “Akademia”, tri herë në vit, edhe ndonjë lloj tjetër që s’po më kujtohet.

A janë pikërisht këto zhanre të librave të cilat lexohen më së shumti?

– Jo, nuk janë këto. Sipas librarëve, e që unë nuk jam një prej tyre, sot, ashtu si disa vjet me radhë, më shumë blihen librat autobiografikë, librat me tematikë historike, me përmbajtje dokumentare, librat psikologjikë dhe ata që, kinse, i motivojnë njerëzit të dashurojnë shumë, të bëjnë seks të mirë, ta mbajnë gjatë lidhjen e çifteve, të bëhen të pasur dhe të suksesshëm dhe mos të urrejnë fare. Pra, i blejnë. S’di kush a i lexojnë.

Cilat libra lexohen më shumë, të autorëve vendorë apo të huaj?

– Ne kemi botuar edhe libra të autorëve të huaj, të cilët i kemi përkthyer në gjuhën shqipe, kemi botuar shumë edhe libra të autorëve shqiptarë. Sigurisht se kemi botuar më shumë libra të autorëve shqiptarë. Kërkesa për blerje të tyre, nga librarët dhe lexuesit, ka qenë e barabartë. Nëse s’është kështu, le të më reagojnë librarët të cilët kanë statistika për librat e shtëpisë sonë.

Sa mendoni se shiten librat në Kosovë?

– Një përgjigje më të saktë sesa botuesit mund t’jua japin librarët, të cilët shtëpitë botuese i furnizojnë me libra. Por, për gjendjen ekonomike që ka populli ynë, shpenzon mjaftueshëm për blerje të librave. Çështja është, a i lexojnë të gjitha ato libra që i blejnë ata njerëz, të gjitha ato libra që autorët dhe shtëpitë botuese ua dhurojnë lexuesve. Kam përshtypjen se një pjesë e madhe e tyre, sidomos ata që mezi s’presin të marrin dhuratë një libër, vendin ia bëjnë vetëm në raft. Rrallë ose kurrë nuk u shkon mendja se u është dhuruar për ta lexuar, për ta thënë një fjalë për të, të mirë ose të keqe, varësisht vlerës që ka libri/vepra. Çdo ditë i lexoj mediet e Kosovës, këto elektroniket, se fiziket perënduan tashmë, e rrallëherë shoh një recension për një libër. Matja e leximit të librave bëhet nëpërmjet mendimit që shpreh lexuesi për leximin e tyre. Meqë mungojnë kaq shumë recensionet, librat lexohen edhe më pak.

A mund të bëni një klasifikim të lexuesve, kush blen më shumë, sipas jush?

– Studentët, gjithmonë, sidomos tekstet universitare, sepse e kanë obligim. Por edhe ata, për shkak të gjendjes materiale jo të kënaqshme, librat po i fotokopjojnë. Sa herë që kryej një shërbim në ndonjërën fotokopje afër fakulteteve shoh se si fotokopjet shkelin Ligjin e të Drejtës së Autorit. E gjej aty një student a studente duke kërkuar shërbim të fotokopjimit të një libri që, edhe pse ka të dhëna brenda tij se nuk lejohet të fotokopjohet, e fotokopjojnë. Por, ka edhe lexues të pasionuar, të moshave të ndryshme, e që janë pak, që bien dhe zgjohen me libra në duar dhe jastëk, që vaktin më të shijshëm e kanë të “hanë” një libër dhe paratë më së shumti i shpenzojnë për blerje të librave. Aferim u qoftë!

A është çmimi i librit i pranueshëm për buxhetin e një të riu?

– Çmimin e një libri askush nuk duhet ta llogarisë vetëm për shtypin e librit. Shtypi i thjeshtë nuk kushton shumë. Libri, derisa të dorëzohet në shtypshkronjë, ka goxha punë derisa të gatitet. Përpos shpenzimeve për shtyp, bëhen shpenzime për redakturë, lekturë, faqosje, dizajn; për librat e autorëve të huaj shtohen edhe shpenzimet për të drejtat e botimit kur ato ende nuk kanë kaluar në domenin publik; shto këtu pastaj shpenzimet për përkthim dhe për disa punë të tjera të vogla të cilat, kur t’i mbledhësh bashkë, del se prej botimit të librit, edhe kur çmimi i tij duket i lartë, fitohet pak. Më shumë fitohet prej shitjes së librit. Të shumtat librari në Kosovë vjelin nga botuesit 38 për qind nga shitja e librit. Për çdo shitje të një libri botuesit paguajnë edhe tre për qind tatim. Ku është leverdia e botuesve tash?! Disa botues të vegjël vazhdojnë të mbesin gjallë vetëm nga subvencionimi i institucioneve qendrore dhe lokale për botimin e librave. Po mos të hapeshin ato thirrje, konkurse, veprimtarinë botuese do ta mbyllnin.

Sa shpërndahen librat e botuesve në biblioteka?

– Nuk e di si dhe sa e bëjnë shpërndarjen botuesit e tjerë. Nuk e di a e bëjnë me rregull. Nuk e di a njoftohen me rregull nga librarët për furnizimet e reja. Ne të shtëpisë botuese “Armagedoni” botimet tona i shpërndajmë në dy librari në Prishtinë, te shitësit ambulantë në sheshin “Zahir Pajaziti”, por edhe në libraritë në Prizren, Gjakovë, Pejë e në qytete të tjera në të cilat ka kërkesa më të rralla. Dërgojmë libra edhe në dy librari në Shqipëri, në Tiranë dhe në Shkodër. Kur i shesin, jo të gjitha libraritë i njoftojnë botuesit se kanë mbetur pa ekzemplarë të një titulli, për arsye se përtojnë t’i japin paratë për shitjet paraprake. Asnjëra librari sot nuk i paguan librat me rastin e dorëzimit, por vetëm pas shitjes. Ndoshta për një titull po, i japin paraprakisht, ama shumë rrallë.

Sa financoheni nga institucionet për botimin e librave?

– Çdo vit, në çdo konkurs që shpall Ministria e Kulturës e Kosovës, subvencionohemi për botimin e librave të autorëve shqiptarë dhe të huaj, të paktën me pesë tituj. Por, përkrahja financiare është e vogël. Shpeshherë na duket se ata që kanë dhënë ato para për botimin e një libri kanë llogaritur vetëm shpenzimet e shtypit, jo edhe shpenzimet e tjera për përgatitjen e librit të cilat jua zura ngoje në përgjigjen e shtatë. 

A keni përkrahje tjetër që ta rritni veprimtarinë letrare?

– Është bërë njëfarë ligji për sponsorizime, i cili ua ka dhënë mundësinë ndërmarrësve të mëdhenj t’i përkrahin të vegjlit, ta përkrahin veprimtarinë botuese, aktivitetet kulturore, ato të rinisë, të sportit e ku di tjetër, por ato ndërmarrje nuk japin para për botim të librave dhe për zhvillim të aktiviteteve kulturore. Japin para për sport. Kështu që, derë e hapur për botuesit mbetet edhe më tutje vetëm Ministria e Kulturës e Kosovës dhe ndonjë komunë.

Cilat janë mangësitë e tjera institucionale që pamundësojnë rritjen e veprimtarisë botuese?

– Buxheti i vogël për botim dhe për blerje të librit.

A kemi librari mjaftueshëm?

– Ka sa të duash, por edhe mungojnë. Më mirë të hapet një librari sesa një kafene; më mirë të hapet një librari sesa një hotel; më mirë të hapet një librari sesa një burg.

A bëni shitje online të librave?

– Jo, nuk bëjmë. Të gjithë ata të interesuar që na shkruajnë për blerjen librave, i njoftojmë se ku mund t’i gjejnë. Për shembull, nëse na shkruan një qytetar i Prishtinës, i bëjmë me dije se ku mund ta blejë në Prishtinë. Nëse na shkruan një qytetar i Prizrenit, i bëjmë me dije se librin që kërkon mund ta blejë në Prizren e kështu me radhë edhe për qytetarët e qyteteve të tjera të Kosovës e të Shqipërisë.

Dhe për fund, a mendoni se populli ynë lexon?

– Në këtë pyetje ju jam përgjigjur në dy tri pyetjet e mëparshme. Megjithatë, meqë po përsëritet, mund t’ju them edhe këto fjalë: vizitojini bibliotekat dhe kafenetë dhe mund ta bëni një vlerësim më të saktë sesa që mund t’jua mbushin mendjen librarët dhe botuesit. Biblioteka Kombëtare e Kosovës para dhjetë vjetësh i kishte mbi dy mijë lexues gjatë ditës. Sot s’i ka pesëdhjetë. Kompleksi i Universitetit “Hasan Prishtina”, rrugët e këtij kompleksi, bibliotekat e fakulteteve të tij, ishin të mbushura me studentë. S’gjeje vend për lexim në sallat e leximit. Sot gjendja është krejtësisht ndryshe. Të rinjtë, me dhe pa viza, me dha pa siguruar një vend pune në Evropë, me pak para në xhepa e me shpresë të madhe për ditë më të mira, ia kanë mësuar Evropës. Edhe ata që kanë qenë dhe janë në punë, mezi s’presin të udhëtojnë pa viza në Evropë. Jo të shëtitin nëpër të, por të punojnë atje. Këtu ku jemi, u bëftë më mirë!

ObserverKult

_____________________

Lexo edhe:

HETEMI: LEXOHEN MË SHUMË AUTORËT E HUAJ, ATA VENDORË DUKET SIKUR PARAGJYKOHEN…