Berat, nis restaurimi i çative në lagjen Goricë

DRTK-Berat dhe CHWB–Albania vijnë në vitin e 5-të të bashkëpunimit për përgatitjen e mjeshtrave të drurit, gurit dhe suvasë.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturor të Shqipërisë tha sot se “pas përfundimit të marrjes së njohurive teorike ka filluar ndërhyrja në praktikë për restaurimin e banesave monument kulture sipas teknikave tradicionale të ndërtimit”.

“Ka filluar ndërhyrja për restaurimin e çatisë së banesës së familjes Buda dhe restaurimin e fasadës në banesën e familjes Gjinari/Shtrepi në lagjen Goricë. Ndërhyrja do të kryhet nga praktikantët e rinj në drejtimin e mjeshtrave sipas teknikës tradicionale”, bën të ditur Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

Arkitektura unikale e banesave në Berat duket se i përket kryesisht fazës ndërtimore të shek. XVIII-XIX me ndërthurjen e elementëve të gurit me atë të drurit.

Kompaktësia e ndërtimeve, lidhja e përkryer e tyre me truallin ku vendosen dhe pamja pak a shumë e njëjtë arkitekturore, i bëjnë këto banesa një prej pikave më tërheqëse në tërësinë e vlerave të qendrës historike të Beratit./atsh