Banesat karakteristike me tipet dhe format që përfaqësojnë zënë vendin kryesor në kompozimin urbanistik dhe arkitekturor të lagjeve muzeale të Beratit.
Drejtoria rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Berat thekson se “vendosja e tyre në truall për vetë terrenin nuk ndjek ndonjë kriter të përcaktuar. Kjo përcaktohet në një masë të madhe nga kushtëzimi i daljes në rrugica por edhe i përkatësisë sociale të pronarëve që i zotëronin”.
Sipas DRTK Berat, ndryshe nga qendrat e tjera, në Berat pjesa më e madhe e banesave kanë pak oborr, ose në disa raste mungon fare duke dalë direkt në rrugë.
Tipologjia më e njohur e banesës beratase është ajo me çardak, një element që gjendet kryesisht në banesat me vëllime të mëdha në zotërim të shtresave të pasura të qytetit.
Çardaku ndërtohet kryesisht në fasadën kryesore të banesës dhe në fazën e tij origjinale ishte i hapur. Ai shërben njëkohësisht edhe si ambient ndërlidhës për hapësirat e tjera të banesës.
Ky ambient shfrytëzohej së tepërmi nga banorët gjatë stinës së ngrohtë duke shfrytëzuar në maksimum dritën natyrale. Për vetë kompozimin dhe përdorimin e gjerë të tij, banesa me çardak ndahet në disa nën tipe; banesa “me çardak në gjithë ballin”, “me çardak në një krah” dhe “me çardak në qendër”. Mendohet se banesa më çardak si fazë ndërtimi duhet t’i përkasë shek. XVIII – fillimit të shek. XIX.
“Gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX shikojmë një përpjekje për modifikimin e tij, duke e mbyllur në shumë raste me muraturë çatmaje për ta shfrytëzuar si dhoma banimi. Përveç tipit të banesës me çardak, në Berat gjenden e dhe tipe të tjera si banesa me gjysmë kat dhe ajo me kat. Në pak raste ruhet ende edhe banesa perpendikulare me konstruksion guri në gjithë gjatësinë e saj”,- thekson DRTK, Berat.
Në vështrimin planimetrik të banesave dallohen këto ambiente kryesore sipas rastit: dhoma e zjarrit kryesisht me oxhak, oda e miqve me element dekoratik si tavanet, musëndrat dhe mafili, çardaku, katoi, sterna dhe mjediset sanitare. Përveç tyre në banesat beratase dallohen për përpunimin dhe rëndësinë që i kushtohet edhe shumë elementë të veçantë si; qoshku, kamerija, testekët, qemerët, dritaret e dekoruara, portat, tymaret, etj.
Një element që spikat shumë në Berat është përdorimi i gjerë i erkerit që del në rrugë që kushtëzohet në pjesën më të madhe nga ngushtësia e terrenit ku vendosen banesa.
Arkitektura unikale e banesave në Berat duket se i përket kryesisht fazës ndërtimore të shek. XVIII-XIX me ndërthurjen e elementëve të gurit me atë të drurit.
Kompaktësia e ndërtimeve, lidhja e përkryer e tyre me truallin ku vendosen dhe pamja pak a shumë e njëjtë arkitekturore, i bëjnë këto banesa një prej pikave më tërheqëse në tërësinë e vlerave të qendrës historike të Beratit./atsh