Besim Ajeti: Teatri për mua është i vetmi medium i përjetshëm në transformim

Intervistë me aktorin Besim Ajeti

Nga Zamira Rexhepaj

Ushtroni profesionin e aktorit për dekada të tëra. Si është të jesh aktor në Kosovë?

– Sikurse në çdo vend të botës, profesioni i aktorit është profesion i vështirë. Por është përcaktim i artistit që nëpërmes kësaj forme ta shprehë artin e vet duke krijuar një identitet artistik dhe të shtrijë ndikimin e vet në shoqërinë ku jeton dhe më gjerë. As Kosova nuk krijon ndonjë përjashtim, ndikimi i artit në audienca në vendin tonë krijon përshtypjen se është më i ngushtë, por kjo nuk ndikon në krijimin e artit të një artisti.

Para apo pas luftës, kur janë përjetimet e juaja më të mëdha në ushtrimin e profesionit?

– Çdo vepër ka përjetimet e veta. Në periudhën e paraluftës është e rëndësishme të thuhet se në atë kohë të vështirë janë krijuar vepra të mëdha artistike. Një nga veprat që duhet të veçohet është koreodrama e parë shqiptare dhe e vetmja deri sot e mjeshtrit të madh të artit, Abi Nokshiqit. Koreodrama “Odiseja Shqiptare”, një vepër fisnike nën harmoninë e lëvizjeve, vallëzimit, poezisë e muzikës krijonte një simfoni në lëvizje. Koreodrama “Odiseja Shqiptare”, një ëndërr e përjetuar prej brezash deri në triumf madhor nën tingujt e “Karmina Buranes”. Kjo ishte një veper madhështore të cilën gjysmë ore para fillimit, premiera e shfaqjes në teatrin Dodona u ndal nga regjimi serb i Millosheviqit. Kjo shfaqje u shfaq ne teatrin kombëtar me dy repriza pas luftës.

Çfarë do të mund të ndanit me ne nga kjo eksperiencë?

– Në këtë shfaqje, përveç si aktor isha edhe producent i shfaqjes. Kjo shfaqje u realizua pothuajse në rrethana komplet ilegale. Procesi i realizimit të shfaqjes është mbajtur i fshehtë, sot kur e mendon të duken të pamundshme.

Keni realizuar role të shumta në teatër, në film, janë sigurisht përvoja të ndryshme. Kah anoni më shumë?

– Filmi shqip tash ka krijuar një identitet dhe po hyn në faza shumë të rëndësishme të artit kinematografik. Po krijon mundësi të jashtëzakonshme për përfshirje globale dhe tash është koha e filmit. Por teatri është gjëja më e rëndësishme për një aktor i cili synon të ketë një identitet të vetin artistik, duke synuar të jetë pjesë në evoluimin e sistemeve që në periudha të caktuara janë të krijuara pikërisht prej aktorëve. Teatri për mua është i vetmi medium i përjetshëm në transformim. Pjesët teknike dhe forma mbesin të kohës, kurse teatri i përjetshëm. Keshtu që në teatër.

“Princi i Kosovës”, dhe “Princi”, në të dyjat keni qenë të angazhuar. Cila ishte eksperienca juaj?

– Princi i Kosovës, shfaqje teatrale e realizuar ne teatrin Dodona nga regjisori Mark Norfolk, është shfaqur me rastin e shënimit të 400 vjetorit të vdekjes së Uiliam Shekspir. E adaptuar prej veprës së Hamletit nga Mark Norfolk. Kurse “Princi” ka qenë titull pune për filmin e metrazhit të gjatë “Un’ Ati”. Filmi i cili në arenën ndërkombëtare është vlerësuar me shumë çmime, ky film është realizuar me një buxhet shumë të vogël dhe me një punë të jashtëzakonshme të ekipës. Kemi arritur me regjisorin Mark Norfolk, aktoren Makfire Miftari dhe aktorin Ekrem Sopi të bëjmë një film i cili pothuajse çdo festival ka fituar çmime ose ka qenë i nominuar për çmimet kryesore. Kurse në Kosovë ka pasur vetëm një premierë të mbyllur. Shpresoj në të ardhmen të shfaqet edhe në Kosovë.

Meqë nisëm të flasim për angazhimet tuaja në role të ndryshme atëherë më duhet të ndalem edhe tek “Memory” dhe “Gjurmë në dashuri”. Tematika e përditshme aty prek çdokënd. Si u pritën?

– Këta dy filma të ndryshëm, trajtojnë tema sociale. “Memory” me regji të Ilirjan Himaj është një film i shkurtër i realizuar jashtëzakonisht mirë, ku unë paraqitem në një rol epizodik. Në “Gjurmë dhe Dashuri” me regji të Arsim Halitit jam në rolin kryesor bashkë me aktoren Anisa Ismajli. Komenti më i rëndësishëm për filmin “Gjurmë dhe Dashuri” ka qenë nga një njeri që më ka telefonuar, më ka uruar dhe më ka falenderuar që ka mundur ta shohë një film shqip me gjithë familjen. Kurse në festivalin e filmit të Varshavës që ishte i nominuar në katër kategori, me një konkurrencë të jashtëzakonshme i vlerësuar shumë lart nga kritika.


 

Angazhimi juaj në art dhe kulturë përfshin ndër të tjera edhe themelimin e festivalit “Hyjnesha në Fron”, si ka nisur dhe si është pritur ky festival?

– Në periudhën e pasluftës, një prej gjërave më të rëndësishme ka qenë krijimi i institucioneve kulturore, si detyrë e çdo artisti. Kështu që themelimi i festivalit të filmit artistik “Hyjnesha në Fron” më 2002 ishte nevojë. Ky festival, festivali i parë i filmit gjithë shqiptarë, ka qenë kontribut shumë i madh në themelimin e institucioneve kulturore që janë festivalet e filmit. Ky ka qenë qëllimi fillestar i themelimit të festivalit. Sot kemi festivale shumë të mira në Kosovë, gjë që është shumë e rëndësishme për vendin. Festivali i filmit “Hyjnesha në Fron” është festival tradicional i Kosovës.

Ky festival tashmë ka realizuar edicionin e 14-të, cilat janë sfidat e realizimit të tij?

– Tani festivali ka ekipën e vet e cila organizon çdo vit mbajtjen e festivalit. Sigurisht që në periudhën e pandemisë ata u janë adaptuar kushteve, gjë e rëndësishme është që festivali nuk ka ngecë. Tani unë jam vetëm si anëtar i bordit pa ndonjë detyrë menaxhuese.

Gjendja me pandeminë e ka përfshirë njëjtë si çdo sferë tjetër edhe teatrin, ju e keni realizuar shfaqjen “Sërish vijnë zgjedhjet” përmes platformës “ZOOM”, çfarë eksperience ishte kjo për ju?

– Kjo shfaqje ka pasur shikueshmërinë më të madhe të mundshme, falë teknologjisë. Me regji të Faik Ispahiut kemi realizuar këtë shfaqje e cila do të jetë pionere e teatrit digjital. Siç thashë më lart për teatrin ‘pjesë teknike dhe forma mbesin të kohës kurse teatri është i përjetshëm’. Jam i bindur se kjo është një arritje e jashtëzakonshme dhe do të shërbejë në të ardhmen në studime të mundshme që një ditë dërrasat e teatrit, siç i themi ne, do të jenë digjitale. Loja e aktorit do të ndyshojë dhe do të krijojë një sistem të ri të aktrimit, që do të jetë në mes të lojës së aktorit në film dhe teatër. Po këtë do ta vërtetojë vetëm koha. E rëndësishme është se shfaqja është pritur jashtëzakonisht mirë, kritika e ka vlerësuar si diçka shume inovative. Jemi të parët që kemi filluar këtë lloj teatri.

Cili ishte reagimi i publikut dhe i bashkëpuntorëve me këtë mënyrë realizimi të shfaqjes?

– Unë kah herë kam besuar që teatri do të kalojë në platforma digjitale. Me Faik Ispahiun, Enver Petrovcin, Shpëtim Kastratin, Ermal Sadikun dhe njerëzit e teknikës kemi arritur ta bëjmë realitet. Reagimi më i veçantë nga njerëzit e teatrit ka qenë që nëse ne kemi të drejtë, kjo do të ndryshojë gjithçka. E unë besoj që po.

Cilat janë planet të cilat do t’i realizoni në vitin që sapo ka filluar, në film, në teatër apo projekte të tjera?

– Që një kohë të gjatë jam duke punuar në “Rikardi i III” i Shekspirit. Nuk e di a do të arrij ta realizoj këtë vit, por shpresoj.

Besoj që do të përfundojë filmi i metrazhit të mesëm me titull pune “Kate”, me regji të Shkelzen Sylejmanit dhe një film i metrazhit të gjatë që së shpejti do të njoftohet publiku për të. 

ObserverKult

_______________________

Lexo edhe:

NAMIK DOKLE TREGON TELEFONATËN E FUNDIT ME MOIKOM ZEQON: ISHTE DUKE SHKRUAR ‘LIBRIN E JETËS’