Besim Zymberi: Sonte më zgjoi nga gjumi një bubullimë…

besim zymeri burg serb poezi

Poezi nga Besim Zymberi

Më zgjoi nga gjumi një bubullimë e fortë
Zbritur nga qielli me përplot tërbim
Sa mbyllej një, hapej një tjetër portë
Mes reve të zymta, që fshihnin yllin tim

Bubullima, s’di se ç’tështin kësaj nate të vonë
Kur retë mund të shkunden edhe pa poterë
-Edhe qielli sëmuret,-gojët e liga thonë
Dhe veç me ulërimë sëmundjen nxjerr

Sonte më zgjoi nga gjumi një bubullimë
Ç’ëndërroja unë, sikur s’e dinte dot…
Shoi në buzët tua flakët e afshit tim
Më pas, vetë zbriti drejt heshtjes së ftohtë

Si të më qortonte që ëndërroja kot

8 qershor, ora 4:00…


Lexo edhe:

BESIM ZYMBERI: KUJTIME TË PËRRALLSHME

Nuk di pse m’u kujtua në këtë agim
Kohë e përrallshme e fëmijërisë
Kur mëngjeseve të bardha në fshatin tim
Lahesha me vesën e fletëve të qershisë

Mike e kisha vapën atëbotë
Dhe gjanin verë e puthja në lumë
Me grushta ujë pija, e jo me gotë
Nga lule sapuni bëja banjon me shkumë

Kur prashisja misrin e blertë në arë
Më ngjan ta shoh fqinjin, dorën tek ma tund
-Hë, u lodhe Besim, punë e mbarë!
-Ja, edhe ky rend dhe i dola në fund…

Dhe nesër, sapo i bardhi të ketë gdhirë
Do rrëzoj dhe barin, se lule ka vënë
Shenjat janë të gjitha të një moti të mirë
Mes fluturash dua marr një sy gjumë në lëmë

Dhe derisa djersët më rridhnin gurrë
Nana drekën e bënte ngadalë
Me bukë te fryra të pjekura në furrë
Me pulë, oriz dhe një kënatë dhallë…

Pastaj, mbrëmjet e freskëta përplot qetësi
Me qindra fenerë xixëllonjash në oborrin tim
Ajo kohë e ëmbël, mes ëndrrash plot magji…
S’di se pse m’u kujtua, sot, në k’të agim…

ObserverKult