Biblioteka e Tetovës nis fushatë frymëzuese leximi me personalitete të njohura të qytetit

Nën moton e famshme të Jorge Luis Borges “Biblioteka, parajsa në tokë”, Biblioteka e Tetovës ka nisur një fushatë inspiruese leximi, duke përfshirë personalitete të shquara të qytetit, me synim që të frymëzojë publikun për të rikthyer dhe ruajtur zakonet e leximit.
Fushata nisi më 1 qershor me fokus tek fëmijët, ndërsa tani ka kaluar në një fazë të re, duke synuar grupmoshën që e mban gjallë dashurinë për librin dhe është frekuentuese e rregullt e bibliotekës.

Në këtë projekt kanë marrë pjesë figura me peshë kulturore e arsimore nga Tetova si:

  • Luljeta Isaku, profesoreshë universitare dhe e bija e shkrimtarit Murat Isaku,
  • Florinta Pustina, arsimtare dhe e bija e poetit Nexhat Pustina,
  • Shpresa Sinani, bashkëshortja e poetit dhe profesorit të ndjerë Ramadan Sinani,
  • Merita Abazi, arsimtare dhe autore e disa librave me kujtime dhe poezi,
  • Edibe Osmani, studiuesja dhe mbledhësja e folklorit dhe veshjeve popullore shqiptare.
    Gjithashtu pjesë e projektit janë edhe punonjësit e përkushtuar të bibliotekës: Mahi Murtezani dhe Ajnure Nurishi.

    Fushata është realizuar me përkushtimin e një ekipi profesionistësh: udhëheqëse projekti ishte Gjulten Ajruli (bibliotekiste e lartë), skenari u bë nga Xhemazije Rizvani. Kurse për incizimin e kësaj fushate përgjegjës ishte kameramani Bleron Pajaziti, ndërsa për montazhën u kujdes Fitim Marovci.

    Projekti është përkrahur nga drejtori i Bibliotekës, Binas Pajaziti, dhe mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa sponsorizimi ka ardhur nga Shtëpia Botuese Albas.
    Projekti është realizuar edhe në gjuhën maqedone me personalitete të rëndësishme të palës maqedone dhe me një pjesë të stafit që i përkasin këtij nacionaliteti.

ObserverKult


Lexo edhe: