Specialistët e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë vazhdojnë digjitalizimin e antikuarëve, librave dhe periodikëve. Për 2020-n rreth 10.800 vizitorë kanë pasur akses në 850 vepra të digjitalizuara nga arkivi i këtij institucioni.
Një ndër prioritetet e Bibliotekës Kombëtare gjatë 2020-s, vit ky që përkoi edhe me 100-vjetorin e këtij institucioni, ishte digjitalizimi i veprave të arkivit. Përgjegjësia e Sektorit të Bibliografisë në BKSH tregon se gjatë një viti janë digjitalizuar në total rreth 850 vepra.
“Aktualisht po punohet për të nxjerr në përdorim kopjet unikale, (ato që janë një kopje e vetme). Për të ruajtur qoftë kopjen fizike, por dhe për t’i bërë të disponueshëm për publikun. Po punohet dhe për periodikun e para vitit 1944. Ndërsa digjitalizimi i gazetave është në përfundim në përputhje me të drejtat e autorit”, thotë përgjegjësia e Bibliografisë në Bibliotekën Kombëtare, Brunilda Tahiri.
Lexuesi mund të konsultojë online 234 dorëshkrime. 176 antikuarë, 78 harta albanologjike, 119 tituj të periodikut dhe 365 tituj librash. Ndërsa, nuk ka munguar as digjitalizimi i bibliografive të librit në shqip nga viti 1959.
“Interes ka për periodikun e vjetër, por dhe për vepra që lexuesit e rregullt i kanë plotësuar online. Pa pas nevojë që të jenë fizikisht”, shprehet përgjegjësia e Bibliografisë në Bibliotekën Kombëtare, Brunilda Tahiri.
Numri i vizitorëve online për 2020-n është 10.800. Por nuk mungojnë lexuesit besnikë të këtij institucioni, ku midis tyre është dhe poeti Xhevahir Spahiu, i cili ndonëse feston ditëlindjen e tij të 76-të, e gjejmë në sallën shkencore, duke lexuar gazetën “Drita”./shqiptarja.com