Kurani i shkruar në lëkurë deveje
Biblioteka Al-Qarawiyyin ka qenë prej kohësh një vend i panjohur për banorët në Fez, Marok, pasi pak prej tyre kanë hyrë ndonjëherë në të. Mendohet se u hap në vitin 859. Labirinti i dhomave të saj për shumë kohë u mbyll, përveçse për studiuesit.
Në vitin 2012, Ministria e Kulturës e Marokut vlerësoi se Biblioteka ishte në rrezik. Nga përmbytjet dhe një sasi e madhe uji që rridhte poshtë dyshemeve ishin dëmtuar edhe shumë libra të rrallë. Për të shpëtuar strukturën nga dëmtimet e mëtejshme, u ndërtua një sistem kanali nëntokësor për të çuar ujin në kanalizim.
U punua shumë që ambientet e Bibliotekës të hapeshin për publikun. U investua që një sasi e konsiderueshme e botimeve të vjetra të ruheshin, rregulloheshin dhe digjitalizoheshin.
Këto libra të rrallë përfshijnë ndër të tjera një Kuran të shekullit të nëntë, të shkruar në Kufic (forma më e vjetër e kaligrafisë arabe) në lëkurën e devesë, që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve.
Ekspertët që u morën me restaurimin e kësaj biblioteke u shprehën në ‘Cnn Travel’ se gjithmonë zbulonin hyrje të fshehta. Dyer që të nxirrnin në oborre, dhoma sekrete etj. Një zbulim i spikatur për ta ishte një dhomë e fshehtë me një kupolë të shekullit të 12-të.
Biblioteka mendohet se u themelua nga Fatima al-Fihri, vajza e një tregtari të pasur tunizian. Ajo gjithashtu themeloi Xhaminë Qarawiyyin dhe Universitetin Qarawiyyin.
ObserverKult