Bibliotekat – të neglizhuara nga shteti e në distancë me lexuesit

Neglizhenca e shtetit ndaj bibliotekave, sipas drejtuesve të tyre, ka ndikuar që ato të mos kenë mundësi ta shkrijnë distancën me lexuesit në këtë kohë pandemie. Nuk kanë pasur mundësi që t’u qëndrojnë afër duke u ofruar materiale në formatin online. E kur rimendohet hapja e tyre, drejtuesit shpalosin ide të cilat nuk i plotësojnë nevojat e të gjithëve.

Këto kanë qenë disa prej konstatimeve në diskutimin online, “Ndikimi i pandemisë COVID – 19 në funksionimin e bibliotekave në nivel qendror dhe atë lokal” me Teuta Demirin udhëheqëse e bibliotekës “Sadik Tafashiku” në Ferizaj, dhe Fazli Gajrakun, drejtor i bibliotekës kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë. Diskutimi i mbajtur të hënën, nën udhëheqjen e Aurela Kadriut, është organizuar nga programi “Kultura për ndryshim”, që financohet nga Bashkimi Evropian.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës njëlloj si bibliotekat e tjera në vend është e mbyllur prej 16 marsit dhe që atëherë janë bërë dy përpjeke për t’u hapur. Numri i të interesuarve që kjo bibliotekë të hapet, sipas drejtuesit të saj, Fazli Gajraku, është i madh. Sipas tij, sidomos tani në kohë provimesh dhe me fillimin e shtatorit, studentët, ata të cilët më së shumti e frekuentojnë këtë hapësirë, kërkojnë hapjen e saj, transmeton ‘kona.net’.

Sipas tij, një diskutim me instancat e larta në vend që janë përgjegjëse për rregullimin e lehtësimit të masave dhe lejimin e hapjes së bibliotekave do të ishte i nevojshëm. Gjatë këtyre muajve ka thënë se ai dhe stafi i Bibliotekës kanë qenë duke shikuar praktikat e bibliotekave nëpër vende të ndryshme dhe kanë një ide të qartë sesi do të funksionin. Ka thënë se praktika të tilla do t’i shpalosnin me lehtësi edhe para Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës sikur i njëjti të merrej ekskluzivisht me bibliotekat.