Bibliotekës “Hivzi Sulejmanit” në Prishtinë i dorëzohen 228 ekzemplarë të 49 titujve

Pas përfundimit të edicionit të parë të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, organizuar në Prishtinë nga Kimete Kasumi dhe koordinatori Berat Armagedoni, drejtorit të bibliotekës “Hivzi Sulejmani” të Prishtinës dje i janë dorëzuar 49 tituj të rinj të librave dhe të veprave të botuara në vitet 2017-2020, me gjithsejtë 228 ekzemplarë.

Ky donacion përbëhej nga libra me poezi, me prozë, me studime nga fusha e gjuhës, e letërsisë, e gazetarisë, e historisë, e filmit etj, transmeton ‘koha’.

Drejtori i bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, Munish Hyseni, përgëzoi organizatoren e panairit dhe koordinatorin e tij, si dhe shprehu falënderime për mbledhjen dhe për dhurimin, nga botues dhe individë, të librave për bibliotekat e shkollave të Prishtinës. Drejtor Munishi bëri me dije se, pas klasifikimit që do t’ua bëjnë librave dhe veprave të dhuruara, do t’i shpërndajnë nëpër shkollat e kryeqytetit – Prishtinës.