Bie niveli i Vjosës, në breg një varkë e rrallë, mund t’i përkasë Mesjetës

Si shkak i rënies së nivelit të Vjosës, në pjesën e fundme të fshatit Kashisht të Fierit është zbuluar nga barinjtë e zonës prej pak ditësh, skeleti i një varke të vjetër me gjatësi afro 8 metra.

Ende në pritje të specialistëve, për të specifikuar më tepër për periudhën dhe përdorimin e saj, vihet re ndërtimi i veçantë i saj dhe detajet artizanale të punimit.

Ndër materialet e përdorura janë gozhdët metalike, zifti për hidroizolim si dhe druri.

Ndërsa pritet të ngrihet një grup ekspertësh, studiuesi Ilirjan Gjika shpjegon për Report Tv se lumi Vjosë është i njohur për lundrimin e brendshëm.

Siç shton më tej, varkat janë përdorur për transport mallrash edhe njerëzish, qoftë edhe për të lidhur Fierin me Labërinë, në mungesë të urave.

Varka e vjetër nuk përjashtohet t’i përkasë Mesjetës, nga antikiteti te periudha Moderne, pasi lundrimi në Vjosë është i kahershëm, qoftë në mënyrë gjatësore ashtu edhe tërthore./Shqiptarja.com

ObserverKult


Lexo edhe:

ALBAN BALA: SA SHUMË KANË NDRYSHUAR KOHËT, ZEMRA IME!

Kanë ndryshuar kohët, zemra ime!
Tani flas me thinja e mendoj me ëndrra
Heshtjet krejt më janë plakur dhe sytë
Shohin më larg.
Njëlloj më ngroh mëngjesi dhe mbrëmja.
Mushkëritë ma ndjejnë lagështirën e mallit
Para se të shfaqet në ajër.

Kanë ndryshuar shumë kohët, zemra ime!
Nuk janë më të arta as qeshjet, as gëzimet.
Guximin e derdhën në bronx dhe e ngrinë.
Të dashurit e mi i përflak mungesa e tyre
Dhe vetmia ime. Akullnajat po shkrijnë;
Ndoshta dhe zemrat do ndjekin shembullin e tyre.

Njeriu po zbulon historinë e tij,
Kohën kur jetonte me dragonjtë në qiell
Flakën e fikur të epokave që fëmijët
E mësojnë në shkollë, rregullisht.

Kemi shpikur simbole për të folur dhe heshtje
Për t’u marrë vesh. Koha ikën dy herë më shpejt
Dhe shumë më shtrembër. Stinët janë bërë lëmsh.
Frutat janë sy për të parë urinë
Dhe toka metri per t’a matur. Tani
Kemi zili bimët dhe vrasim kafshët.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult