Artistë nga 50 vende të botës janë pjesë e fazës së parë të Bienales ndërkombëtare të Karikaturës që do të mbahet në muajin shtator në Pogradec. Bujar Kapexhiu, pret që ky aktivitet ndërkombëtar t’i japë nxitje kësaj gjinie arti edhe në Shqipëri.
300 punime nga artistë nga 50 vende të botës u bënë pjesë e garës për bienalen e parë të karrikaturës që do të mbahet në Pogradec!
Juria ka përzgjedhur 120 më të mirat që do të prezantohen në muajin shtator fillimisht në qytetin buzë liqenit dhe më pas në të gjithë Shqipërinë.
“Për mua është një kënaqësi që të organizojmë këtë aktivitet që do të sjellë prurjet më të fundit të karikaturës në botë. Pogradeci është përfaqësuesi i Shqipërisë i karikaturës në botë”, tha Kapexhiu
Artisti, Bujar Kapexhiu si pjesë e jurisë pret që festivali të rizgjojë gjininë e karikaturës edhe në Shqipëri.
“Kjo është hera e parë që krijohet një festival ndërkombëtar i karikaturës në Shqipëri dhe fillon në Pogradec. Ne jemi përballë një përgjegjësi për të zgjedhur fituesit. Hapja e bienales dhe ekspozitës do të bëhet në shtator dhe do të jepen edhe çmimet ndërkombëtare.”
Tematika e karikaturave të prezantuara është e shumëllojtë duke nisur nga probleme të mprehta të Gadishullit Ballkanik, por edhe problemeve te ndryshme te para në planin global, transmeton ‘ora news’.
Bienalja e karikaturës dhe ditët e humorit “Niko Nikolla” do “të kurorëzohen” më 18-20 shtator.