Bilal Xhaferri: S’do e harroj dot kurrë…

Era shkundi nga lisat mbi avlli një tufë fletësh të arta. Ato ranë ngadalë, ca në njërën anë të avllisë, ca në anën tjetër. Njëra u vonua në hapësirë me shumë se të tjerat. Fare e vetmuar, duke u përpëlitur plot drithërimë në ajrin e kulluar të muzgut vjeshtak, ajo shkoi pakëz më tutje dhe ra diku pranë pusit.
Vëllai im i vogël, Mehmeti, ishte përkulur mbi grykën e pusit dhe nxirrte me mundim kovën e rëndë. Shoku i tij, Azemi, rrinte gati mbi parafangon e makinës që ta zbrazte kovën në karburator.
Unë mbylla dritaren , dola nga shkolla dhe kyça derën, pastaj zbrita poshtë shtegut që të shpinte te pusi.
-Erdhëm vonë se na ndaluan te ura, zonjushe, -më shpjegoi Azemi. –U rrëxue nji makinë me të burgosun në të hyme të urës e u zu rruga.
-Ah! U rrëzua një makinë me të burgosur? U vra njeri?
-Jo, nuk u vra njeri, zonjushe. Shpëtuen mirë. I shpëtoi perëndia. Po të qe kthyer makina në anë të djathtë, kish me u ba hataja; të tanë kishin me ra në humnerë, po u kthye nga e majta e s’u damtue askush.
-Sa tmerr ishte!-tha Mehmeti!-Të burgosurit u shkarkuan përdhe sikur të ishin një ngarkesë me gurë.
Ishin të lidhur me tela e u bënë lëmsh në xhade. Pse i kishin lidhur me tela? E nuk e di, pse vallë, kapterët mbanin hunj në duar?
-E çka kujton ti se duhej të mbajshin?-tha Azemi.
-Nuk e di se ç’duhej të mbanin, po pse mbanin hunj dua ta di.
-Ata nuk i transportojnë natën se kanë frikë se po u ikin.
-Si do të mund të ikin ashtu të lidhur me tel?
-Kanë hikun edhe të lidhun me hekra. Ba me kenë aty mbrend veç po nji mendim ke në krye: si me ja ba e tek me ja ba me hikë. Ka edhe qi kanë sulmue rojet shoqëruese, u kanë marrë armët e kanë hikun të armatosun. Prandaj tash rojet e armatosun rrijnë në kamiona të veçuem e kapterat qi udhtojnë në kamjonat me të burgosun mbajnë hunj …
Unë nuk çuditesha me njohuritë që kish Azemi rret burgjeve. Vëllai i tij i madh ishte vrarë dy vjet të shkuara tek tentoi të arratisej nga kampi i të burgosurve të Laçit.
Duke u tendosur i tëri mbi ato kërcijt e dobët, shpërveshur gjer te gjuri, Mehmeti i zgjati Azemit kovën që rridhte ujë në të katër anët.
-S’do e harroj dot kurrë!-tha ai. –Ishin nja tridhjet kamjona, -tërë kampi i të burgosurve të Rubikut. Të burgosurit të shtinin frikën t’i shihje si ishin katandisur, dukeshin porsi ca kufoma të dala nga varret. Dhe kapterët shtrëngonin hunjt në duar. Dhe qentë ujqër zgjatnin turinjtë te spontat. Dhe rojat rrinin me automatikët “Kallaçnikov” gati.
Kur fëmijët e furnizuan makinën me ujë, ata shkuan të lajmëronin shoferin që kish vajtur të hante bukë në restorant.
Mbeta vetëm, u ula te një ndenjëse guri dhe lidha duart te gjunjët . Befas në mendjen time kaloi në muzg një kolonë e gjatë me kamiona me të burgosur. Pastaj ra qetësia, një qetësi jo e natyrshme, kaq e thellë saqë të dukej sikur të ndodheshe në një vend tjetër, të largët e të humbur në fund të dheut. Dhe përsëri me shkuan në mendje kamionat me të burgosur.
Nga lisat mbi avlli era shkundi një tufë fletë porsi një grusht me yje. Diku matanë lumit, në arat e korrura, gjeli i egër i thërriste së shoqes. Ai i thërriste asaj çdo mbrëmje me zërin e tij të dridhshëm, të çjerrë, sikur t’i kish mbetur në fyt një kokërr gruri.
Më dukej sikur edhe mua më kish mbetur në fyt diçka, një thirrje, një zë që s’e nxirrja dot. Më dukej sikur një thirrje e tillë kish mbetur edhe në grykat e maleve, ajo rrinte pezull në hapësirat e arave të heshtura, vinte e fuqishme nga nëndheu dhe mbetej e mbërthyer te gryka e pusit.
Era shkundi përsëri një tufë fletë nga lisat mbi avlli. Ula kryet nën fletët e lisave që binin ngadalë në muzg.

“Krahu i Shqiponjës”, nr. 3, gusht 1975

*Shkëputur nga libri i Bilal Xhaferit: “Përtej largësive”

Përgatiti: ObserverKult

——————————–

Lexo edhe:

JEFF WEDDLE: DIGJU, ZEMËR, DIGJU