Bilal Xhaferi: Eja trishtim

Eja, trishtim ,
eja me hapa fletësh qe bien nga degët,
eja me hapa shiu që këputet nga fletët…
Eja trishtim ,
eja me hapa tingujsh që dridhen në mbrëmje,
eja me hapa zemrash që rrahin me dhimbje…
Eja, trishtim,
o prehër i ëmbel që nuk më braktise kurrë,
o strehë e qetësisë sime,
o ëndërrime të mia,
o gji i shpresës sime.
Eja, trishtim,
trishtim,
eja.

ObserverKult

——————

Lexo edhe:

BILAL XHAFERI: BALADË ÇAME

eja trishtim bilall xhaferi

Ylberi, si një përshëndetje e përlotur lamtumirë,
u zhduk matanë largësive,
mbi kreshtat e flakëve,
nëpër shi…

Matanë largësive u zhduk e përflakur Çamëria
dhe të gjitha rrugët tona shpien në veri.
Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta epirote,
mbi të shtrenjtat troje tona stërgjyshore.

Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë.
Ullishtet e pavjelura gjëmojnë si dallgë nëpër bregore.
Dhe kudo toka çame,
mbuluar nga retë,
rënkon e mbytur në gjak e lot,
e mbetur shkretë,
pa zot.

Na e tregojnë drejtimin plumbat, që vërshëllejnë në errësirë.
Na ndriçojnë rrugët flakët, që gjithë tokën kanë përpirë
Pas shpinave tona përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive
dhe rrugët zgjaten e zgjaten si veri.

Ne, popull muhazhir, ecim nëpër shi…
Lamtumirë, Çamëri!

ObserverKult

BILAL XHAFERI: NATË ÇAME

Ndali çapin kopeja e ulqve
Në errësirën e thinjur me flokë bore.
Ndali çapin pranë staneve të heshtura
Kopeja e egër e pyjeve çame.
S’dëgjohen të lehura, s’dëgjohen blegërima,
Nuk duken më zjarret ku dremitin çobenët.

Poezinë e plotë e gjeni KETU