“Bir’ i fllanzës”, libër i ri me poezi nga Xhabir Tabaku

Para disa ditësh është publikuar libri i ri me poezi i poetit Xhabir Tabaku, “Bir’ i fllanzës”, të cilin mund ta gjeni në Amazon.com
Në vazhdim gjeni parathënien nga redaktori i këtij libri, prof. Zija Vukaj


Para veprave artistike të arrira duket sikur gjykimet dhe analizat janë të panevojshme. Megjithatë, në rastin e këtij vëllimi poetik na duket me vend të nënvizojmë disa aspekte që kanë të bëjnë me veçoritë e një krijuesi tashmë shumë të spikatur dhe thuajse në një stad të epërm të krijimtarisë së tij.
Pas një leximi të vëmendshëm të këtyre poezive është e kuptueshme se kemi të bëjmë me një arsenal poetik të një niveli të lartë. Ky produkt artistik vjen në periudhën e një pjekurie estetike dhe akumulimi të madh kulturor e filozofik, duke u bërë pasqyra e një shpirti të thellë e tejet të ndjeshëm dhe e impulseve të fuqishme të frymëzimit.
Gjithë vëllimi përshkohet nga një ndjeshmëri e lartë dhe një lirizëm i hollë, nga një gamë e gjerë motivesh dhe një harmoni e brendshme, që kufizon me jonet e një muzike të nxjerrë nga parandërtimet e thellësive të gjuhës. Vargjet janë imazhe dhe struktura poetike është e akorduar me rima të pjesshme apo “të rastësishme”, por hera- herës muzikaliteti krijohet edhe me mënyrat e vargëzimit klasik, gjë që flet për një poet me vokacion të njëmendët dhe me një siguri për të kaluar nga simetria prozodike në asimetri; ose për të ndërthurur klasiken me modernen.
Në mozaikun e motiveve të këtij vëllimi shquhen jehonat e vendlindjes; gjithçka është vendosur në teatrin Shkodër. Të gjitha copëzat e jetës së heroit lirik janë kthyer në fanitje, për të prodhuar nektarin poetik si në këtë rast:

rrugicat e Shkodrës
nji burrë vetmuar
rrugicave të Shkodrës shkon
rreth me avullija
kush i ndërtoi këta mure të naltë
çka mshehin këto rrethime?
as nata s’i depërton
as dëshira e nji burri, as andrrat e brishta
-në dritaret kafazlije të qytetit tim
vajza me gjergjef e lule.


Por brenda jeheve të vendlindjes frymojnë çaste melankolie, si tek poezia “Tulipanë”, një eufemizëm i varrit, “Fëminia ime”, “Zani jot” apo dhimbja, tragjizmi, fuqia e lartë e përjetimit, zjarri njerëzor i poetit, si tek intermexoja (5), kushtuar mësueses së vdekur. Në temën e dashurisë, krahas lirizmit dhe delikatesës, autori vendos guximshëm edhe grimca të hijshme erosi, që i japin sensualitetin e natyrshëm këtij motivi.
Të shpeshta janë çastet e inkarnacionit, që hasen nëpër segmente njësish poetike apo edhe përshkojnë krejt poezi të ndryshme si “Përralla e gjyshes”- peshku nga tulipani- “Heshtje vorresh”, “Lulekëmborë” etj. Poeti Xhabir Tabaku është i përveçëm jo vetëm në gdhendjen e vargut, dhënien e imazhit, harmoninë e brendshme tingullore, larminë e motiveve, aromën e vendlindjes; por edhe në aktivizimin e leksikut pasiv, aq i bukur dhe stilematik si: mrinë, çetinë, fur, bërcak, lila, mokna etj- si dhe në arketipet që ngjajnë si kordinata artistike.
Përveç Shkodrës, shiut, porteve me barka të ndryshkura, kopshtit mbas shpie, viseve të Lindjes (Egjeu, Antalia), interesant është edhe kërmilli, që shpesh jepet si asociacion i impulseve erotike, në formën e një dekrescendoje apo desakralizimi të imazhit njerëzor, deri në neveri, që shpesh të kujton “pecat e ndyta” të Migjenit, ku lindin trashëgimtarët e ardhshëm. Një procedim i veçantë artistik janë intermexot. Vëllimi ka rreth 15 intermexo. Këto poezi shfaqen si digresione artistike, si frymëmarrje të domosdoshme pas çdo tallazi poetik që kulmon në imazhe dhe emocione.
Hapësira e tyre është më e gjerë dhe fryma medituese më e thellë. Ky është një lloj sfondi që përshkon gjithë vëllimin. Arsenali i teknikave të vjershërimit është tejet i pasur dhe i larmishëm.
Mbresëlënës është përdorimi elegant i rrjedhores gege: “…muzash t’përvlueme vorfnie/ lulesh t’paprekuna dashnie…”. Ky përdorim dëshmon karakterin lakonik dhe eliptik të poetit që e përdor fjalën me një ngjeshje maksimale. Ndërsa nga figurat e sintaksës poetike gjejmë përdorimin e hijshëm të epanastrofës:

avull nga goja
-goja plot jarg’
jargë si të kërmillit
kërmillit nën rrasë;
nën rrasë n’breg t’liqenit
liqenit me borë –
borë nate.
i huaj në vendlindje!

Poeti Tabaku ka përdorur dy regjistra gjuhësorë në këtë vëllim poetik: të folurën gege, kryesisht atë të qytetit të tij të lindjes dhe gjuhën standarde. Në rastin e parë poeti e ka përdoror dialektin me një sens mase, plot hijeshi dhe me efikasitet. Në të dyja rastet leksiku është mjaft i pasur dhe poetik.

ObserverKult