Biri im, dallëndyshet erdhën edhe sivjet në ballkonin Tënd. I ndjej flatrat e tyre kur vijnë qetas në çerdhe dhe i ushqejnë zogjtë e tyre.
Nga Xhabir Ahmeti
Ti, s’je aty në kolltuk me libër në dorë. Prandaj edhe cicërimat e dallëndysheve nuk dëgjohen. Pluskojnë vetëm mirësia dhe fisnikëria Jote aty. Dhe, kullon dhembja ime për Ty. Çfarë nate kërcënuese fshihet qosheve të këtij ballkoni tash! Dhe, përgjon! Vetëm heshtja e hap librin e vajeve, i cili flet vet me gjuhën metafizike: sa shumë u bë pa Ty! Sa i shëmtuar duket ballkoni pa Ty! Gjithë ajo peshë zbrazëtie e shkretie ka rënë mbi këtë shtëpi!
Djersa pika-pika ma stërpik ballin, lotët më shkojnë si vija të humbura në shpatin e malit kur bie rrebesh shiu. Dhe, thahem dalëngadalë si plepi të cilin e ka goditur rrufeja!
Biri im, ikja Jote e plagosi artin e po më vret mua! Të dua shumë dhe dashuria ime prindërore do të qëndrojë e fortë edhe pas meje, ndër shekuj!
ObserverKult
Lexo edhe:
BIRI IM, TË KËRKOJ FALJE QË NUK JAM I PAVDEKSHËM!
Ges, ti i ke dhënë një kuptim të ri jetës sime, unë mësova prej teje të kuptoj Tjetrin, të mposht vetveten, egon time, sa herë që kjo është e domosdoshme; mësova të heq dorë nga shumë gjëra në emër të dashurisë që ushqej për ty, të të dua edhe kur ti me godet, edhe kur ti më gërvisht, pra, edhe kur më dënon e ndëshkon me dhunë; mësova të luftoj ndryshe, edhe kur e di që nuk do të fitoj, mësova ta shoh, ta dëgjoj, ta nuhas e ta prek botën me syrin, veshin, hundën e dorën tënde dhe kështu, ta kuptoj duke e filtruar edhe përmes ndërgjegjes se tjetrit, aq më tepër kur tjetri je Ti!
Sigurisht, Ges, biri im, unë të kërkoj të falur që nuk kam arritur të T’i plotësoj të gjitha, që nuk po të shkëpus dot nga autizmi, të kërkoj të falur për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tënde, të kërkoj te falur që nuk jam i pavdekshem, por i përkohshëm ashtu si edhe nëna jote, sepse brenga jonë më e tmerrshme është mendimi që një ditë të frikshme, ti do të gjendesh vetëm, pa njeri pranë për t`u kujdesur për ty, për të të dhuruar të paktën një grimë mirëkuptim e dashuri.
Tekstin e plotë e gjeni KETU
ObserverKult