Biser Mehmeti: Të merresh sot me letërsi është sfidë e madhe!

biser mehmeti

Në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafir yni është shkrimtari, Biser Mehmeti.

Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?

-Takimi i parë me letërsinë ka ndodhur gjatë shkollës fillore kur arsimtari i gjuhës shqipe na jepte lektyra për të lexuar në shtëpi. Dhe atëherë ishte një lloj turpi të mos e lexoje një lektyrë brenda një muaji, të cilën pastaj duhej shpjeguar para arsimtarit të gjuhës. Gjatë asaj kohe më lindi dëshira për të lexuar. Leximi m’u bë një lloj ushqimi, andaj edhe vazhdova me pasion edhe pas mbarimit të shkollës fillore. Megjithatë leximin fillova ta përjetoj si diçka të domosdoshme gjatë shkollës së mesme. Në këtë mënyrë libri m’u bë pjesë e pandashme e jetës. Prandaj edhe nuk munda të mos vazhdoj studimet për letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinë.

Kur ratë në “grackën” e saj?

-Gjatë studimeve kur kishim obligim për të lexuar vepra të shkrimtarëve të njohur botëror, e pashë veten se u gjenda në “grackën” e letërsisë, nga e cila nuk isha në gjendje më të dilja, ngase ajo kishte filluar të bëhej pjesë e pandashme e jetës.

Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?

-Shkrimet e para letrare i kam botuar në shtypin e kohës, sidomos në revistat “Zëri i Rinisë” dhe “Bota e re” . Megjithatë pas studimeve fillova të merrem më seriozisht me letërsi. Në konkursin anonim të Klubit Letrar “De Rada” në Ferizaj romani im “Fjala e ngrirë” nga juria e konkursit u vlerësua me vendin e parë. Ky ishte çasti kur fillova të ndihesha se kam arritur një pjekuri të duhur estetike. Mirëpo veten shkrimtar zura ta ndiej në vitin 2016 kur në konkursin e Shtëpisë Botuese “Buzuku” në Prishtinë juria e konkursit romanin tim “Dielli i ftohtë” e vlerësoi me vendin e 3-të. Çmimet nëpër konkurse letrare më kanë motivuar të vazhdojë edhe më tutje të merrem intesivisht me letërsi, jo vetëm në roman, po edhe në tregime dhe poezi.

A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?

-Të jem i sinqertë, sot të merresh me letërsi është një sfidë e madhe, pasi që letërsia e aq më pak shkrimtari nuk vlerësohet sa duhet. Kjo ndoshta për shkak të numrit të madh të atyre që pretendojnë se merren me letërsi. Megjithatë pyetjes pse shkruaj mund t’i përgjigjem me pak fjalë. Është diçka brenda mendjes dhe shpirtit tim që më nxit të shkruaj, që nuk më le rehat derisa nuk arrij të zbrazi gjithë atë që më torturon brenda meje.

Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?

-Nuk do të kisha dashur të flas për vetveten, sepse shpesh mund të jem subjektiv. Megjithatë mendoj se ajo që më bën të veçantë si shkrimtar është stili i të shkruarit, gjuha e figurshme, temat psikologjike dhe realiteti i shprehur në mënyrë simbolike.

Çka keni thënë me shkrimet tuaja?

-Në veprat e mia letrare, si në prozë ashtu edhe në poezi jam përpjekur të paraqes anën e panjohur, mbase edhe të errët, të shoqërisë sonë, sidomos të kohës së tashme, e cila fatkeqësisht ka shumë të meta, me të cilat nuk jam pajtuar asnjëherë edhe si njeri, edhe si shkrimtar.

Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?

-Mendoj që ka ende shumë tema që nuk kam arritur t’i paraqes në veprat e mia që i kam botuar deri tash. Shoqëria jonë vuan ende nga shumë plagë sidomos nga e kaluara sa tragjike aq edhe krenare.

I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?

-Shumë pak i besoj muzës. Më shumë i besoj punës sime intensive. Muza shpeshherë kërkon ta trazosh nga gjumi që bën brenda meje. Një çështje tjetër që i besoj e të cilën e praktikoj gjatë gjithë kohës është leximi, i cili është çelës i të gjitha sukseseve.

Sa jeni sistematik në të shkruar?

-Kur filloj të shkruaj diçka atëherë punoj në mënyrë sistematike derisa nuk e përfundoj. Mirëpo e kam mënyrën time të të shkruarit: shkruaj për çdo ditë, po nuk shkruaj më shumë se dy faqe. Megjithatë shkrimin gjithnjë e kombinoj me lexim. Shkruaj pak e lexoj ma shumë!

Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?

-Të jem i sinqertë sikur të filloja nga e para mbase nuk do të merresha me letërsi. Ka shumë arsye kur e them një gjë të këtillë. E them këtë duke u bazuar nga fakti që letërsia nuk më ka dhënë asgjë, kurse më ka marrë shumëçka. Të botosh një vepër sot duhet investuar nga buxheti familjar, gjë që nuk më duket gjë e mirë. Pastaj shpesh dikasteret që merren me letërsi udhëhiqen nga persona që nuk kanë lidhje me letërsi. Është e tmerrshme kur një vepër letrare, në të cilën ke humbur mund e kohë dy vite në fund të vlerësohet nga persona që nuk marrin erë në letërsi.

ObserverKult


Lexo edhe:

CIKËL POETIK NGA BISER MEHMETI: NË SYRIN TËND HAPA VARRIN TIM!