
Për teveqelët, tyryfylët, dhe trushpëlarët
Nga Lutfi Dervishi
Nga epoka kur njerëzit flisnin për ide, shkencë, letërsi, sot kemi arritur në epokën e lavdishme të rrjeteve sociale, ku Homo Sapiens ka pësuar një mutacion të pazakontë duke evoluar në Homo Blegerimus.
Kjo specie e re ka disa karakteristika të dallueshme: reflekset e pavullnetshme për të thënë “Bravo!”, urrejtjen patologjike ndaj çdo mendimi ndryshe dhe bindjen e palëkundur se lideri i tyre është më i mençuri, më i ndershmi dhe me siguri më i gjati i fisit. Janë delet e çobanit të radhës, të mbledhur në një ritual të përjetshëm të blegerimave të pakuptimta:
Si dallohet një “Blegerimus”
1. Gramatika?
Janë përdhunues serial të gramatikës se gjuhës shqipe. Nëse një koment përmban më shumë gabime se një tekst i Google Translate nga anglishtja në shqip dhe prapë në kinezçen e lashtë, urime! E ke gjetur një Blegerimus autentik.
2. Analiza? Meazallah
Për Blegerimus-in mesatar, çdo gjë është e bardhë ose e zezë, hero apo tradhtar, patriot ose i shitur. Argumenti “ndoshta gjërat janë më komplekse” nuk hyn në tru, sepse truri është zëvendësuar me një kapsulë propagande të programuar për të reaguar vetëm ndaj fjalëve kyçe si “lider”, “madhështor”, “tradhëtar” dhe “armik”.
3. Foto duke ngrënë.
Asgjë nuk i përfaqëson më mirë këta komentues sesa një biftek i djegur, një pjatë me mish të rraskapitur dhe një sallatë gjysmë e vyshkur, e shoqëruar me një gotë vere që ka parë ditë më të mira. Ky është arti i tyre i lartë, trashëgimia që do u lënë brezave që vijnë pas.
4. Ofendimi, arma e vetme
Sapo një mendim ndryshe del në skenë, reagimi është i menjëhershëm:
“Shpellar!”
“I shitur!”
“Pastro gojën kur flet për liderin!”
“Ti je rrogtar i..!”
“Mjeran!”
“U bëre ti…”
E kështu me radhë, deri sa algoritmi i rrjetit social ta konsiderojë këtë diskutim si aktivitet të shëndetshëm qytetar.
Si të sillesh me Blegerimus-in?
Nëse rastësisht gjendeni në një “diskutim” me një Blegerimus, duhet të ruash shëndetin mendor:
1. Mos përdor logjikën!
Logjika është armiku kryesor i këtij lloji. Nëse provoni t’i shpjegoni diçka me fakte dhe argumente, do të shikoni një reagim të pazakontë: “Po kush je ti, more?”
2. Jini indiferente.
Nuk ka armë më të fuqishme se mosreagimi. Blegerimus-i lulëzon në kaos, ofendime dhe sharje. Nëse nuk i përgjigjeni, ai do të shqetësohet dhe do të fillojë të sulmojë ndonjë tjetër.
3. Tallu sa të mundesh
Nëse një komentues thotë “Lideri ynë është më i miri në botë!”, përgjigje “Po, me siguri NASA është duke e studiuar si fenomen natyror.”
Nëse doni të shihni një Blegerimus në krizë ekzistenciale, shkruaji:
“mendoj vërtet se postimet e tua duhen lexuar nga të gjithë !”
“Besnikëria jote ndaj liderit dhe partisë është frymëzim për ne të gjithë!”
“Të lutem, më mëso si të mendoj si ju!”
Pas kësaj: ose do t’ju marrin seriozisht , ose nëse jeni me fat do t’ju bëjnë bllok.
Nobel për Trushpëlarje
Në fund të fundit, ne nuk mund ta ndalojmë këtë evolucion të tmerrshëm të shoqërisë moderne. Blegerimus-ët do të vazhdojnë të bërtasin, të komentojnë, të ofendojnë, të duartrokasin dhe të postojnë pjatat e tyre në Instagram.
Po ne?
Ne do të vazhdojmë të përpiqemi të ruajmë shëndetin mendor duke i shmangur.
Por pyetja finale në prag të zgjedhjeve mbetet pa përgjigje:
Në një botë ku Blegerimus-ët janë shumicë, kush ka të drejtën të vendosë fatin e të tjerëve?
Mos vallë jemi ne gabim?
Sidoqoftë duhet t’i jemi mirënjohës facebook-ut sepse falë tij po marrim vesh numrin e idioteve, injorantëve, trushplarëve, teveqeleve, dallkaukëve, tyryfylëve…
Na mbetet të ngushëllohemi me Churchill që thoshte: 9 budallenj vlejnë më shumë se 1 i mençur”/gazetatema
ObserverKult
Lexo edhe: