Ekziston një kult i shtëpisë tek shqiptarët. Një dashuri dhe adhurim i shtëpisë. Prandaj, kur ndodh që të largohen nga shtëpia, ose ta humbin atë, siç po ndodhë këto ditë në Shqipëri, shqiptarët reagojnë në mënyrë traumatike.
Të kesh një shtëpi tëndën, tradicionalisht është konsideruar si njëri nga qëllimet më të rëndësishme në jetën e individit shqiptar; dhe nëse do të bëhesh hero në sytë e të tjerëve, ndihmo të tjerët që të bëhen me shtëpi.
Flijimi i kafshëve në themelet e shtëpisë së re dhe vendosja e flamurit mbi çatinë e shtëpisë së përfunduar, janë simbole të këtij kulti të shtëpisë. Rrënjët e tij shtrihen thellë në histori dhe ato mund të shihen në vetë origjinën e fjalës “shtëpi”. Derisa në variantin toskë të shqipes thuhet “shtëpi”, në variantin gegë të saj thuhet “shpi”.
Shpjeguesit e origjinës së fjalëve me prirje helenocentrike do të thoshin se kjo fjalë vjen prej greqishtes së vjeter, në të cilin shtëpia quhet “spiti”. E kundërta mund të jetë e vërtetë, ngase ilirët dhe romakët nuk ishin thjesht përvetësues pasiv të kulturës antike greke. Ndërkaq, tek romakët, “spi” përdoret për gjestin e mikpritjes, ho-SPI-talis. Ky koncept romak duket të ketë ndikuar në lidhjen që shqiptarët e bëjnë midis shpisë dhe mikpritjes. Shpija e shqiptarit është e mikut dhe e zotit, thotë një dispozitë e Kanunit, i cili, siç dihet, ka një lidhje të fuqishme me të Drejtën Romake.
Tek shqiptarët, termi “shpia” për shekuj ka qenë sinonim me termin “familja”. Ky i fundit ka hyrë relatvishit vonë në fjalorin e shqipes. Bukuria e fjalës “shtëpi” nuk qëndron vetëm tek lashtësia e saj, por edhe tek forca rezistuese e saj. Me këtë kam parasysh faktin se gjatë 500 viteve të sundimit osman, fjalët turke për banesën, si “ev”, “japi”, e “konak”, nuk arritën ta nxjerrin nga fjalori i shqipes fjalën “shtëpi”. Kjo vlen edhe për fjalën sllave “kuça”./ ObserverKult