Blerim Valla: Magjia e Librit!

Për nder të Ditës Botërore të Librit

Nga Blerim Valla

Miq dhe lexues të dashur, jam i rrethuar nga ata që juve besoj dhe mua më janë më të rëndësishmit – nga Librat. E dimë se në libra nuk gjejmë, siç mendojnë njerëzit që i lexojnë, vetëm fjalë.

Te librat fjalët nevojiten që të krijojnë iluzione. Njerëzit të cilët lexojnë – ata jetojnë! Ata jetojnë më shumë nga ata të cilët nuk lexojnë.

Ata duke iu falenderuar librave hapin të gjitha dyert dhe të gjitha dritaret e botës. Dhe kur njerëzit, të cilët lexojnë vuajnë, ata e kuptojnë se edhe të tjerët kanë vuajtur para tyre, dhe leximi i librave gjithsesi ju ndihmon.

Sepse librat janë sikur ilaçet, sikur droga dhe alkooli. Asnjë drogë, bile as sporti nuk mund të krahasohen me leximin e librave.

Askund sikurse tek librat nuk gjendet aq shumë pasuri. Nëpërmjet librave unë kam njohur dhe jam dashuruar në botën dhe jam futur në magjinë e librit.

Libra të dashur dhe ju shkrimtarë, ju lutem na mësoni të ëndërrojmë, të qeshim, na shpjegoni se si bota jonë dhe njerëzimi kanë vuajtur, se si kanë mbijetuar dhe se si pas gjithë kësaj bota do të bëhet më e bukur dhe më e fortë, sikurse edhe njerëzimi më të mirë, më njerëzor!

Mbase dikush do të thotë pse sot po e shkruaj këtë shkrim për nder të Ditës Botërore të Librit.

Kurr nuk është herët as vonë për këtë festë të librit, kur ata që duhet të shkruajnë për të, nuk shkruajnë.

Ndërsa, tani dua t’i them edhe disa fjalë për Librin, nëse më lejohet të flas në emër të tij.

Libri shqip dhe libri në Kosovë është në pozitë jo të lakmueshme. Nuk janë arsye politika, luftërat dhe varfëria. Nuk ka mirëkuptim për librin. Tek ne kultura e librit dhe kultura e leximit nuk është krijuar dhe as kultivuar sa duhet.

Por, shija ekziston tek disa, gjithsesi. “Shteti” ynë ai që ishte dhe ai që është, gjithmonë ka pasë punë tjera! Shkrimtarët tanë nuk kanë mundur dhe nuk mund të jetojnë nga puna e tyre!

Në anën tjetër si të bëhesh shkrimtarë i njohur dhe i lexuar, sot kur librat tek ne botohen në 100 apo 200 e rrallë dhe më së shumti në 500 ekzemplarë! .

E mos të flasim për ata që posa kanë filluar të shkruajnë dhe për ata tek të cilët mbajmë shpresa si shkrimtarë të ardhshëm.

Libri është përpara një muri të madh dhe të gjatë. Dhe ky mur vazhdon të rritet! Të jesh indiferent ndaj librit do thotë ta varfërosh shpirtin tënd.

Për fat të mirë libri nuk mund të zhduket. Asnjëherë! Përkundër kësaj disa shkrimtarë tanë shkruajnë mirë dhe në sasi. Por, problemi është tek leximi!

Libri paraqet vlerë të përhershme dhe të pakalueshme. Njerëzit, në mbarë botën, lexojnë që të mos jenë të vetmuar. Fati i librave është i njejtë me fatin e njerëzve.

Çdo libër ka fatin e vet, dhe ky fat siç po shihet çdo herë e më shumë, mund të barazohet me fatin e shoqërisë sonë. Dhe nëse librat kanë fatin e tyre, kjo do të thotë se edhe ata vdesin, sikurse njerëzit!

Vetëm se librat nuk i varrosin por, i ruajmë në biblioteka dhe i vizitojmë nganjëherë, siç bëjmë me të vdekurit në varreza!
Edhe shkrimtarët e ndajnë fatin e hulumtuesve mbase edhe të luftëtarëve!

Të atyre që hapin rrugët nëpër xhungla dhe atyre që qajnë vijat e frontit nëpër fushëbeteja, duke hapur shtigje të reja për ata që do të vijnë pas tyre.

23 Prilli – Dita Botërore e Librit është caktuar nga UNESCO (Këshilli i OKB-së për Edukim, Shkencë dhe Kulturë), dhe festohet që nga viti 1995, çdo dy vjet. Kjo Ditë Botërore e Librit ka për qëllim të popullarizoj letërsinë dhe të mbroj të drejtat autoriale.

Njëkohësisht të bëjë promovimin e librit atje ku s’është i pranishëm, të propagandojë aksionin e pasurimit të bibliotekave dhe të institucioneve të tjera, me libra.

Në luftë me rrjetet sociale, me mediumet elektronike dhe ato të shtypit, libri është dhe duhet të jetë fitues gjithsesi, sepse është i pavdekshëm dhe nuk mund ta zëvendësoj askush. As televizioni, as kompjuteri e as interneti.
Magjia e librit është univers i pakufishëm!

I takon familjes dhe shkollës që fëmijët dhe të rinjtë tanë mos të largohen nga librat por, të lexojnë deri sa të kenë frymë dhe jetë. Sepse, vetëm kështu pasurohet mendja dhe shpirti ynë!

Miq dhe lexues të dashur, ju falenderoj për durimin tuaj për ta lexuar këtë shkrim, por tani kërkoj falje se më duhet t’i kthehem leximit të librave! Po më presin librat!



ObserverKult


Mbyllet teatri
Foto ilustrim

Lexo edhe:

TEATRI ËSHTË SHPIRT E FRYMË PERËNDIE! ËSHTË JETË, ËSHTË MËNYRË E TË JETUARIT!

Shkruan: Blerim Valla

Për nder të Ditës Botërore të Teatrit

Teatri të mëson të luftosh dhe të mos dorëzohesh.
Të mëson të ringritesh pas humbjeve.
Të mëson t’ia nisësh nga e para dhe të mos kesh frikë nga jeta.

(Maurizio Gianandrea, dramaturg italian )

Në Ditën Botërore të Teatrit, janë shumë arsye pse duhet ta duam teatrin!

1.Teatri është dhe do të jetë gjithmonë “in” , sidomos tani kur çdo gjë është Retro!

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult