Blerta Zhegu: E ardhmja u përket atyre që besojnë në bukurinë e endrrave të tyre!

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet sopranoja Blerta Zhegu.

Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?
-Të mos jesh në kërkim të lumturisë së përkryer.

Cila është frika juaj më e madhe?
-Sëmundja ime ose e njerëzve që dua.

Cilin person të gjallë admironi më shumë? 
-Më ka lënë mbresa historia e shkencëtares shqiptare Laura Mersini, kandidate e mundshme për Nobel.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
-Ndoshta me Maria Callas-in, por me artisten e jo me gruan.

Cili është tipari juaj që nuk pëlqeni?
-Pesimizmi.

Cili është tipari që nuk pëlqeni tek të tjerët?
-Mediokriteti.

Në cilat gjëra e teproni?
-Në kritika.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
-Ideja që gënjeshtra mund të ishte zgjedhja e duhur në një kontekst të caktuar.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
– Ai që më bën të lumtur.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
-Nuk është domosdoshmërisht ndonjë fjalë e këndshme e që mund të shprehet publikisht.

Për çfarë ju ka ardhur më keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Nuk jam penduar për asgjë.

Çfarë ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
-Do ta zbuloj në fund të jetës.

Cila është gjendja juaj mendore per momentin ?
-Në këtë moment përpiqem ta marr jetën me shumë filozofi.

Nëse do të kishit mundësi të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo? 
-Do të doja të isha më e durueshme.

Çfarë konsideroni arritjen tuaj më të madhe?
-Faktin që kam mundur ta vë vetëveten shpesh në provë.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
-Asgjë.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të ishit?
-Një send a qenie jashtëtokësore.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që zotëroni?
-Talenti im.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
-Të dish çmimin e çdo gjëje dhe vlerën e asgjëje.

Ku do të dëshironit të jetonit?
-Në Paris, aty ku jetoj momentalisht.

-Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Sinqeritetin.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
-Aftësinë për të falur.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
-Gjyshi im, Mithat Araniti.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
-Njerëzit e lire.

Cilin talent do të dëshironit të kishit?
-Do të doja të isha më sportive.

Si do të dëshironit të vdisnit?
-Në gjumë.

Cila është motoja juaj?
-“E ardhmja u përket atyre që besojnë në bukurinë e ëndrrave të tyre.”/ ObserverKult