“Bluza me ariun simpatik”, tregim nga Ditar Kabashi

Nga Ditar Kabashi                                                                                                           

E doja fort bluzën e gjelbër, në qendër të së cilës gjendej figura e një ariu bardhosh. Ishte e gjatë deri te nofulla dhe, meqë nuk bëja paqe të qëndrueshme me bajamet dhe ato më mundnin shpesh, atë bluzë e përdorja sa herë bënte ftohtë jashtë. Një mbrëmje më thanë ta vesh. S’e kuptova arsyen pasi ajo më shërbente kur shkoja diku, teksa ne s’po hidhnim hapin tej derës së oborrit. Pothuaj ishim ngujuar për muaj të tërë, me dalje fare të reduktuara, ndërkaq lëvizjet e pazakonta të familjarëve gjatë gjithë darkës ma thellonin amullinë.

***

Nuk loznim më as me shokët e lagjes. Rrugica pa dalje ishte pikëtakimi ynë i shpeshtë dhe i natyrshëm. Tani, as aty nuk zhurmonte topi i futbollit. Prej kohësh, “Nuk bën!” ishte ndalesa e prerë e të rriturve.

S’kishim teknologji mobile dhe as internet. Vetëm libra, për ata që donin të lexonin.

***

Të gjithë zbritëm në bodrum. Aty qëndruam për një kohë të gjatë. Mbaj mend frazën e herëpashershme “Sonte ishalla!”, me të cilën më ishte mësuar veshi.

Kur akrepat e orës iu avitën mesnatës dhe qepallat na u rënduan mua dhe tim vëllai, na çuan në katin përdhese. Këtë herë nuk më porositën t’i marr pizhamet. Ashtu, pa e zhveshur bluzën e gjelbër me ariun e vogël, fjeta pranë gjyshit në dhomën e tij. Nuk besoj që ai të ketë bërë një sy gjumë. Priste, si gjithë të tjerët. Këtë e diktoja edhe nga përpjekjet e tij për t’i zënë frekuencat e radios. Duhej të ketë qenë diçka e vlefshme, me sa dukej. Ose dikush shumë i çmuar që mund të kishte paralajmëruar ardhjen. Në imagjinatën time duhej t’i ngjasonte shoqëruesit tim, ariut simpatik.

Me kalimin e viteve e dallova veçantinë e asaj date: 24 mars 1999. Paska qenë sihariqi i çlirimit të vendit dhe kujtesa e ëndjes me praninë e gjyshit, i cili më mungon mua sot, siç i mungonte liria vendit tim atë natë.

Që atëherë, NATA dhe NATO çuditërisht filluan të përdoren si homonime në të folmen e popullit tim.

24.3.2025

ObserverKult


Lexo edhe:

CIKËL ME POEZI PËR FËMIJË NGA DIJE DEMIRI-FRANGU: DASHURIA ËSHTË KONTINENT I BUKUR