Borges: Kaq shekuj padrejtësi, mbrapshti dhe vetëkënaqësi, na kanë njollosur të gjithëve…

Jorge Luis Borges

Duhet të shpresojmë

Nga Jorge Luis Borges

Dikur kam thënë se demokracia është një abuzim statistikash. E kam kujtuar shumë herë këtë mendim të filozofit Thomas Carlyle, që e përcakton demokracinë, si kaosin e siguruar me kutitë e votimit elektoral.
Utopia ime vazhdon ende se do të ketë një vend, apo gjithë planeti, pa shtet, apo me një minimum shteti. Por unë e kuptoj, jo pa trishtim, se kjo utopi është e parakohshme dhe se na duhen edhe disa shekuj për këtë. Vetëm kur çdo njeri të jetë i drejtë, ne mund të bëjmë pa drejtësi, pa ligje dhe pa qeveri. Tani për tani, ato janë të këqija të domosdoshme.
Jemi gati në agoni. Por një agoni mund të jetë një ringjallje.
Drita e qartë e zgjimit na mahnit pak. Askush nuk i injoron format që merr makthi kokëfortë.
Tmerri publik i bombave, i rrëmbimeve klandestine, i torturave dhe i vdekjeve; rrënimi etik dhe ekonomik, korrupsioni, vesi i çnderimit, krekosjet, veprimet tejet të errëta… unë e di shumë mirë që ky katalog është i paplotë.
Kaq shekuj padrejtësi, mbrapshti dhe vetëkënaqësi, na kanë njollosur të gjithëve. Kemi kohë që po ecim mbrapsht… Megjithatë, shpresa jonë nuk duhet të jetë e humbur, edhe pse problemet janë të shumta dhe të ndërlikuara, që një qeveri mund të mos jetë e aftë t’i zgjidhë…
Një qeveri që i përkushtohet dialogut, që hap rrugë për dialog, që pranon se ka gabuar, që preferon të arsyetojë thellë ndaj zemërimit apo edhe kërcënimit të thjeshtë të njerëzve, do të thotë se pranon një opozitë. Nëse kjo logjikë dhe disiplinë është harruar, është nevoja të rilindë një republikë e vërtetë demokratike. Ne nuk duhet të qëndrojmë më në një dimër autokratësh. Duhet të shpresojmë. Por shpresa shoqërohet nga detyra dhe veprime…
Nëse secili prej nesh vepron në mënyrë etike, ne do të kontribuojmë në shpëtimin e atdheut.

Në shqip: Bajram Karabolli

ObserverKult


Lexo edhe:

BORGES: ME KOHË MËSOHET SE DASHNI S’DO ME THANË ME SHKUE N’SHTRAT…