Teksti i Jorge Luis Borgesit , në hyrje të “Pedro Páramo”:
Poetja e shquar amerikane, Emily Dickinson, besonte se botimi nuk është pjesë thelbësore e fatit të një shkrimtari. Juan Rulfo duket se ka besuar po ashtu. Ishte një adhurues i leximit, vetmisë dhe i shkrimit të dorëshkrimeve, të cilat i rishikonte, i korrigjonte dhe i asgjësonte.
Kësisoj, nuk po e botonte dot librin e tij të parë, “Rrafshina në flakë” (1953), deri sa pothuajse shkoi dyzet vjeç dhe, kur një mik i tij kokëfortë, Efrén Hernández, ia rrëmbeu origjinalet dhe i çoi për t’i shtypur.
Ky vëllim me nëntëmbëdhjetë tregime parafytyron dhe paraprin disi romanin. Që e bëri Rulfon të famshëm në shumë vende dhe në shumë gjuhë. Që nga çasti kur personazhi rrëfyes, i cili kërkon babanë e tij, Pedro Páramon, has një të panjohur që thotë se janë vëllezër dhe se të gjithë banorët e fshatit quhen Páramo, lexuesi kupton se ka hyrë në një libër fantastik, degëzimet e papërcaktuara të të cilit nuk i japin mundësi të parashikojë, veç forca tërheqëse e tij e mbërthen.
Shumë të ndryshme janë analizat që kanë bërë kritikët për këtë roman. Ndoshta më e lexuara dhe më kompleksja është ajo e Emir Rodríguez Monegal. Historia, gjeografia, politika, teknika e Faulkner dhe e disa shkrimtarëve rusë dhe skandinavë, sociologjia dhe simbolizmi, kanë qenë çështjet me të cilat janë marrë, me shumë zell, por deri tani askush nuk ka arritur të zbulojë ylberin, nëse do të përdorim metaforën e çuditshme të John Keats.
“Pedro Páramo” është një nga romanet më të mirë të letërsisë në gjuhën hispanike dhe madje edhe të letërsisë.
Në shqip: Bajram Karabolli
————————————
LEXO EDHE: