Mbetjet nga lashtësia, të mureve ciklopike të dalmatëve, që i përkasin Daorsonit, ndodhen në afërsi të Stollacit, në jug të Bosnjë-Hercegovinës.
Ishte kryeqyteti i fisit ilir Daors, që jetuan mes viteve 300 – 50 para Krishtit, në luginën e lumit Neretva.
Rrënojat e këtij qyteti gjenden në rreth 300 metra mbi nivelin e detit.
Muret mbrojtëse të këtij qyteti, kishin një gjatësi prej 65 kilometrash, me gjerësi 4.2 metra.
Arkeologët kanë gjetur mbetjet e amforave të shumta për verë, si dhe copa qeramike.
Qendra administrative e qytetit Doarson ishte akropoli, ku ndodheshin të gjitha objektet e rëndësishme administrative, publike dhe ato fetare.
Autoritetet në Bosnjë, kanë aplikuar në UNESCO, që qyteti ilir të përfshihet në listën e trashëgimisë kulturore.
Aplikimi është ende nën shqyrtim.
Pak histori
Pas rënies së mbretit Gent të Shkodrës, Roma ngarkoi taksa në këmbim të lirisë.
Pretori Anicio, në emër të autoritetit të senatit e të popullit të Romës i la të lirë ilirët, duke i detyruar që të paguanin gjysmën e taksave vjetore që i jepnin mbretit të tyre.
Ilirët e Risanos e të Ulqinit u përjashtuan nga taksat dhe iu bë thirrje për miqësi me Romën dhe ata në mënyrë vullnetare, duke lënë mbretin e tyre, kishin pranuar.
I njëjti privilegj, iu afrua edhe Daorsëve, të cilët, pas braktisjes së vëllait të Gentit, – Karavanzio,- iu vetëofruan romakëve.
Këta Daorsë, sipas T. Livit, Strabonit dhe Ptolemeut, jetonin përreth lumit Naorn dhe u bashkohej edhe qyteti Narona.
Megjithatë, e gjithë kjo hapësirë, nga Narona në lumin Drilon, pas njëfarë kohe, u katandis në provoncë romake dhe popullsia e saj, qeverisej nga një Prefekt apo Pretor, me vendqëndrim në Narona.