Situata e krijuar për shkak të pandemisë së virusit COVID-19 e ka bërë të vështirë distancimin e artistëve nga kjo temë. Kjo vërehet edhe në karikaturat që janë dërguar në adresë të Festivalit Ndërkombëtar të Karikaturave që mbahet në Ferizaj. Janë 1 mijë e 650 karikaturat e 360 artistëve prej 53 vendeve të ndryshme të botës, prej të cilave juria ka përzgjedhur 99 sosh.
Ekipi i Festivalit Ndërkombëtar të Karikaturave në Ferizaj ka kryer pothuajse shumicën e punëve për edicionin e sivjetmë. Edhe katër ditë u kanë mbetur deri në hapjen e ekspozitës me punime të karikaturistëve nga vende të ndryshme të botës. Përmes kësaj ekspozite shënojnë edicionin e gjashtë të Festivalit. Të pazakontë e kanë konsideruar organizatorët, të cilët përkundër vrullit të punës u duhet që të sigurohen që janë duke respektuar edhe masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19, raporton ‘koha’.
Koronavirusi paraqitet goxha edhe në 1 mijë e 650 karikaturat e 360 artistëve prej 53 vendeve të ndryshme të botës që kanë aplikuar. Janë përzgjedhur fiks 99 vepra. Por nëpërmjet tyre nuk del në pah vetëm mjeshtëria artistike. Nëse përcillet linja kronologjike e karikaturave të dërguara, të paktën përmes artit, virusi fillon të humbë fuqinë e tij. Vizitorët do të kenë kohë dy javë për të vrojtuar nga afër këto karikatura në ekspozitën që do të hapet të dielën në Galerinë e Arteve në Ferizaj.