(Manjola Brahaj, “Ama ni lak”, Bard Books, Prishtinë, 2020)
Nga Agron Tufa
Ka poetë që e fitojnë pak e fije zanin e vet, dukën e tyne t’pavume oroe, rritën e idenave që marrin trajtë bashkë me kumbin e verbit, e nji ditë të bukur tërhjekin vëmendjen e botës së letrave. Por ka poetë të një rrace tjetër, të cilët sikur e kanë pasë t’konservueme në eshtna artin e poezisë, kangën e lashtë shkumëzuese të gjakut, e cila me rastin ma të parë vërshon jashtë në një shatrivan t’papërmbajtun gjuhe të pjekun e të sprovueme ndër përvoja metafizike. Kësaj kategorie kam bindjen se i përket poetja Manjola Brahaj, e re në moshë, por jo në moshën e artit poetik. Ajo hyn në ato raste të rralla kur poeti e gjen zanin e vet qysh në rizomën e parë të debutimit poetik me vëllimin Vajtimi i Kalipsosë (2010), vëllim i cili u nderue në Konkursin Kombëtar të Letërsisë me çmimin “Migjeni”. Manjola Brahaj e ka krijue botën e saj autentike që në vëllimin e parë dhe meqenëse thelbi i një bote artistike peshon tek detajet, me vëllimin e dytë Na nuk jena t’ktuhit, merret me riformulimin e saj simbas një ansambli artistik vital, të valë e plazmik, që të përfshin në një karusel marramendës vegimesh, imazhesh, ritmesh e meditimesh gjithë paradokse e oksimorone. Në këtë vëllim, që nis me vargjet “ka kohë që e kam kuptue se na nuk jena t’ktuhit/ ndoshta pa dalë ende n’dritë”, përvijohet ideja madhore metonimike e artit dhe artistit që përpëlitet midis baltës dhe flatrave, ideja e një ekzistence dramatike tokësore dhe qiellore, njena e përkohshme e torturuese dhe tjetra e amshueshme e qiellore; një ide platoniane, mundemi me thanë, ku lëvozhga e trupit asht e “ktuhit”, ndërsa vektori metafizik i shpirtit, priret “nalt” me u shmangë prej çdo banaliteti tokësor të vargonjve të përditshmënisë. Se, sipas pohimit të poetes: E fundja çka na duhet ktuhja?/ Kur me pi nuk mundemi shpirtin e njeni – tjetrit,/ kur zgjedhim me qenë larg,/ kur zgjedhim mos me u pa,/ kur zgjedhim mos me u bashkue kurrë,/ veçse në nji skenë ku rolet caktohen prej jashtë/ pa u njoftë shkulmi as vala e brendshme,/ se vetëm e jashtmja vlen për t’dukshmit.
Kjo poezi orienton qartë për vektorin e kërkimeve shpirtnore të poetes dhe shënon që në fillim një divorc të premë me keqkuptimin e madh të misionit të poezisë, apo së paku, të asaj lloj poezie, “priftneshë” e së cilës shpall se asht Manjola Brahaj. Ti nuk ke si me i përkitë prekjes,/ kur je hije.
Hiri i poezisë ka të njajtën alkimi me hirin e priftënisë, sepse të dy, poeti dhe prifti i shërbejnë tempullit të së padukshmes. Jo padashtas m’u kujtue Mitrush Kuteli kur njeni prej personazheve të novelës së tij “E madhe është gjëma e mëkatit”, një prift, i thotë Tatë Tanushit: “Ne jemi shtamba të frymës së Zotit”. Unë mendoj se dhe poeti asht një enë e shenjtë e frymës së Zotit, në një kuptim panuniversal. Poezia Na nuk jena t’ktuhit asht një poezi-kredo dhe ligjërimi poetik i nisun prej këndit ma të epërm të oktavës poetike, ka vendosë tashma një taksinomi të naltë ligjërimore, që mbahet në nota të epërme, pa ulje-ngritje, deri në poezinë e fundit, e cila me vargje e formula adeptësh parathanës, mat instinktivisht skajin ma të zgriptë të vegullisë: Ka me ardhë nji ditë kur kam me u varë/ n’vargojtë e zanit tand,/ si nji flutur n’rrjeta marimange/ kam me pranue aty me dhanë shpirt.
Manjola Brahaj ka krijue një botë aq prerazi të përveçme, aq identitet të qartë e të dallueshëm artistik, sa me k’te libër ia del me u dallue prej çdo poeti tjetër, jo vetëm i brezit të saj, por dhe paraardhës. Me këtë vëllim, vargu i saj është i pangatërrueshëm me asnjë poet tjetër. Poezitë e saj janë të nginjuna me një “uri mbirealitetesh”: imazhet ziejnë, vegimi fluturon dhe përçik perden fërgëlluese të realiteteve transcendentale për t”u ngulë si një ushtë e nxehtë në zemër të misterit torturues: Tash që gishtat e mi prekin nji gji uji/ e kambët ecin ajrit,/ po due me qa pa za./ Ashtu si qajnë gjethet e malit/ vjeshtës vonë,/ tue thurë nji filozofi që s’i dihet fundi/ mes Qiellit t’harbuem/ e Tokës që deliron n’pëshpëritje.
Poetja tragjike ruse, Marina Cvetajeva, ban një pohim të prekshëm kur shpall se “poeti e shpie larg gjuhën/gjuha e shpie larg poetin”. Krijohet kësodore një qark i ndërsjelltë galvanik i përsosjes së dyfishtë. Në një qark të tillë me gjuhën kam bindjen se ka hy poetja Manjola Brahaj. Habitati i saj gjuhësor, gegnishtja harmonike e Verilindjes dhe Kosovës hyn në një rezonancë kumbesh e përfytyrimesh me afeksionin, ndjeshmëninë dhe emocionin që përban mishin e rimtë të idesë poetike. Metafora e saj del pa sforco në shkulmin e kësaj gjuhe që bahet art i naltë me plazmën e supersticionit adekuat; natyra e metaforës së saj, nëse lypet një afëri, të çon ndërmend metaforën e papërmbajtshme sa surreale aq dhe futuriste që teptis dhe vrujon perspektivash të largëta me një uri të thekshme për kohë e hapësirë.
Megjithatë, përqasja me këto tradita të avanguardës nuk asht aq e kërkueme, se sa një e dhanë e afërt e mjedisit të natyrshëm kulturor të poetes: mjafton të kujtojmë figuracionin e harlisur të Eposit të Kreshnikëve dhe lirikave popullore të dashunisë të trevës së Tropojës përplot kontraste e lojna antinomike. Por Manjola Brahaj asht një njohëse e shkëlqyeshme e letërsisë së traditës dhe në përgjithësi, një shijuese nazike e letërsisë botnore. Eksperimentimi i saj me gjuhën dhe traditat, rrok një spektër eklektik shumë ma t’gjanë, në të cilin nëpërduket hera-herë vargu energjik e i shëndetshëm i Migjenit, sa për ndërmendje e kolorit dhe absolutisht jo si perspektivë e përbashkët kërkimesh. Në këtë kuptim, Manjola, duke e respektue Migjenin në habitatin e saj gjuhësor e stilistik, asht një antimigjeniane në botëkuptimin dhe destinacionin e poezisë.
Unë kam një bindje të thellë e të brendshme se poetja do t’i mbijetojë pa farë zori kakofonisë së klimës sonë të turbullt letrare dhe se korona e saj ka për të shkuar mjaft larg./ ObserverKult