Botohen dy libra me poezi të Adem Gajtanit dhe Fadil Bekteshit

Posa kanë dalur nga shtypi dy vepra me poezi të përzgjedhura të autorëve, Adem Gajtani “Treni nisej, faculeta digjej” dhe Fadil Bekteshi “Baladë për veten”. Që të dy shkrimtarët vijnë përmes shtëpisë botuese nga Shkupi “Agoraprint”.

“Adem Gajtani paraqet një ndër poetët më sublimë të gjeneratës së artë të poezisë shqipe që u krijua në Maqedoni dhe jashtë saj…. Në leksikun poetik të Adem Gajtanit, ndryshe nga poetët tjerë të brezit të dytë të cilit i takon, figurat poetike janë të një ndërtimi dhe të një gjeneze të veçantë…

Ky libër që po vjen si produkt i një përzgjedhjeje të gjerë të poezive të Adem Gajtanit, do të rikthej vëmendjen e lexuesit dhe të kritikës letrare nga ky autor mjaft interesant i letrave shqipe!…”, shkruan ndër të tjera, shkrimtari dhe studiuesi e letërisë, Nehas Sopaj.

Poezitë e librit “Treni nisej, faculeta digjej” janë përzgjedhur nga vëllimet poetike: “Drita në zemër” (1961), “Dryni i heshtjes” (1964), “Ti këngë, ti zog i largët” (1968)”, “As dru, as zog-dashuri” (1973), “Unazë” (1974), “Në ëndërr kënga” (1975), “Amfora e fundosur” (1977) dhe “Kënga e mjellmës” (1980), duke i ofruar lexuesit të sotëm një spektër më të gjerë e më të kompletuar nga opusi krijues i Adem Gajtanit.

Në librin “Baladë për veten” të Fadil Bekteshit vihet në spikamë, aftësia vrojtuese e tij prej krijuesi, duke nxjerrë në pah dimensionet më të qenësishme të subjektit lirik. Plasticitetin e këtij vrojtimi do ta ndeshim në gjithë arealin krijues që ai la pas vetes, duke filluar nga krijimet e hershme për fëmijë, sidomos në vëllimin me tregime ‘Balloni’ e deri te baladat e fundit lirike, ‘Filxhan i dashurisë’, ku shkrimtari Fadil Bekteshi ndërton në kontinuitet parabolën e tij letrare.

Leximi i veprës letrare të Fadil Bekteshit ndërlidhet jo vetëm me çështjet e komunikimit që kjo vepër pati me rrethe të caktuara lexuesish, moshash, gjinish e afinitetesh të ndryshme ideo-estetike, por edhe me vet statusin e këtij shkrimtari në bibliografinë teoriko-letrare, e cila duhet thënë se është e paplotë dhe e lënë disi në harresë nga pakujdesia dhe shpërfillja.

ObserverKult


Lexo edhe:

FADIL BEKTESHI: E PIKËLLUAR TI S’PO MË PRISJE MË…