Botohet Fjalori i Gjuhës Shqipe me 35 mijë fjalë

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka botuar Fjalorin e Gjuhës Shqipe, me 35.000 fjalë, 3.000 njësi frazeologjike dhe rreth 100.000 kuptime.
Fjalori mban firmat e Dhimitër Samara, Pavli Haxhillazi, Hajri Shehu, Thanas Feka dhe Valter Memisha.
Lajmin për botimin e fjalorit e ka bërë të ditur prof. Valter Memisha përmes një statusi në profilin e tij në Facebook.

Në vazhdim gjeni postimin e profesorit Memisha:

Një vepër e re në duart e përdoruesve të shqipes!


Pak informacion:
Fjalori përmban rreth 35.000 fjalë, 3.000 njësi frazeologjike dhe rreth 100.000 kuptime.
Ai u drejtohet përgjithësisht nxënësve të shkollave të sistemit parauniversitar, por edhe studentëve.
Ai nuk është fjalor shkollor (pra nuk përmban krahas leksikut të përgjithshëm, të gjithë apo afërsisht të gjithë termat që mund të ndeshen në lëndë të ndryshme në shkollë).
Ai vjen si një fjalor shpjegues për nxënësit në kuptimin që, krahasuar me veprat e mëparshme leksikografike të botuara nga Akademia e Shkencave, shpjegimet kuptimore dhe ndërtimi i strukturave të kuptimeve, thëniet dhe elementet fonetiko-gramatikore etj. janë përshtatur me moshën e nxënësve dhe të rinjve (ato janë lehtësisht të rrokshme). Aty, pa prekur natyrën e një fjalori të përgjithshëm shpjegues, kanë zënë vend me një masë të caktuar terma të ndryshëm, huazime bashkëkohore etj.
Në vepër janë përfshirë edhe një numër i caktuar huazimesh nga bota e sotme e teknologjisë së informacionit, të artit, të muzikës etj. që lidhen me ligjërimin rinor dhe jo vetëm, me një zgjidhje teknike të arsyetuar duke dhënë fjalën e huazuar (zakonisht nga anglishtja) në shqiptimin shqip dhe në kllapa katrore [ ] shkrimin në gjuhën dhënëse, si feisbuk [angl. facebook) etj.
Vepra erdhi në një çast të kërkuar nga përdoruesi si dhe me mesazhin për të hartuar vepra të tjera.
Siç mund të jeni informuar nga mediet, tashmë ka filluar puna për hartimin e “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”, me rreth 90.000 fjalë dhe rreth 10.000 njësi frazeologjike, si projekt i përbashkët i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i Akademisë së Studimeve Albanologjike (Tiranë) dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës. Vepra përfundon në vitin 2023.
Faleminderit!
Prof. dr. Valter Memisha
Drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë
Tiranë

ObserverKult