
Romani i Ag Apollonit, “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, përkthyer në gjuhën sllovene nga përkthyesi i njohur Nikollë Berishaj, është botuar Slloveni nga KUD Sodobnost International.
Pas botimeve në gjuhën holandeze, angleze, gjermane, malazeze, rumune dhe franceze, romani i Apollonit tashmë gjendet i botuar edhe në gjuhën sllovene. Në gjuhën shqipe ky roman dokumentar u botua më 2020 dhe deri tani është përkthyer në shtatë gjuhë.
Romani flet për tragjedinë e luftës, duke u fokusuar në historitë e dy nënave kosovare, te njëra që gjatë luftës ka humbur katër djemtë dhe burrin, dhe te tjetra që, pak ditë pasi iu kthyen mbetjet e dy djemve, bëri vetëvrasje.
Ky roman është ribotuar shumë herë në Kosovë, është shpërblyer si romani më i mirë i vitit 2020, dhe është vlerësuar nga emra të njohur të kritikës shqiptare dhe të huaj. Gjithashtu, vitin e kaluar është dramatizuar dhe inskenuar në Athinë.
Ag Apolloni është autor edhe i shumë veprave të tjera të vlerësuara me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe të përkthyera në gjuhë të ndryshme.
ObserverKult






