Botohet vepra e Át Gjergj Fishtës në 80-vjetorin e vdekjes së tij

Prof. as. dr. Vinçens Marku

Në 80-vjetorin e vdekjes së Át Gjergj Fishtës, kemi ndërmarrë nxjerrjen e nji botimi të posaçëm të veprës së tij. Ajo asht botue në gjashtë vëllime. Çdo vëllim paraprihet prej nji studimi të veçantë nga personalitete të njohuna në fushën e shkencave albanologjike në Shqipni dhe Kosovë. Veprën e Fishtës e kemi strukturue simbas sugjerimeve të studiuesve. Natyrisht baza për botimin e veprës fishtjane mbetet përmbledhja me studime e Át Benedikt Demës, e vitit 1943, e ribotueme nga ne në 2010.
Dramatika asht strukturue në nji formë të veçantë nga Prof. Kujtim Shala. Ndërsa, Satirika asht përgatitë nga Dr. Lisandri Kola, sidomos Nikolejda e cila vjen në nji version ma të plotë.
Publicistika botohet në nji vëllim të vetëm, me nji studim nga Prof. Mark Marku, ku kemi shtue disa shkrime të panjoftuna të Fishtës.
Lahuta vjen me studimin brilant të profesorit të nderuem Sabri Hamiti. Ndërsa te vepra Lirika që botohet me parathanie të studiueses Evalda Paci, kemi vendosë krahas Mrizit të Zânavet e Vallës së Parrizit edhe Shna Ndoun e Padues.
Vëllimi i gjashtë përfshin Letërshkëmbimin e Át Gjergj Fishtës. Me përkthimin e letrave nga gjuha italiane në gjuhën shqipe u muer profesori, studiuesi dhe përkthyesi i talentuem Prof. as dr. Vinçens Marku.
Në ketë vëllim nuk mtojmë të paraqesim krejt Letërshkëmbimin e Fishtës, por kemi paraqitë nji pjesë të mirë të tyne. Natyrisht në ketë vëllim spikat përkthimi i letrave të Át Gjergj Fishtës me Át Pal Dodaj, me Át Vinçenc Prennushin e personalitete të tjera. Ka pasë edhe përkthime të maparshme të disa letrave të Fishtës në gjuhën shqipe, por e kemi pa të arsyeshme me i përkthye prej fillimi për të kenë sa ma të saktë me Fishtën. Krahas përkthimeve në gjuhën shqipe, kemi renditë edhe letra të Fishtës shkrue në shqip.
Prof. V. Marku ka kry nji punë mjaft të vështirë në traskriptimin e letrave, ku shumica e tyne nuk asht rujtë e mbajtë në gjendje të mirë. Vërtet punë e madhe dhe e vështirë, ku përkthyesit i asht dasht, përposë traskriptimit, me ba, në disa raste, edhe e rindërtimin e tekstit të këtij vëllimi, që po sheh dritën e botimit.
Sikurse kje fati i Át Gjergj Fishtës me ardhjen në pushtet të komunizmit, njat fat të keq pësuen edhe korrespondencat e tij. Tue u marrë me studimin e veprës fishtiane dhe kryesisht këto kohë edhe me Letërshkëmbimin, shofim që mungojnë letra nga kjo krijimtari.
Nëpërmjet letrave lexuesi dhe studiuesi kupton randësinë strategjike të Fishtës si nji personalitet i rrallë dhe i duhun për Shqipninë e asaj kohe, por edhe për kohën tonë. Po kështu, leximi dhe studimi i letrave na paraqet kontekstin historik, ku ai jetoi dhe veproi.
Natyrisht këtu zbulohet edhe ana njerëzore e Át Gjergj Fishtës, ajo e fratit në bashkësi, që kremton Meshë, lutet, kryen të gjitha shërbimet fetare, karakteri i tij i butë, por edhe tiparet e ashpra dhe luftarake, kur cenohet Shqipnia. Prandej, Át Gjergj Fishta, do të njifet ma mirë nëpërmjet këtij botimi të Letërshkëmbimeve.
Përmes letrave shifet qartë sesi jeta e veprimtaria e Fishtës, si frat françeskan e klerik katolik, asht vu në shërbim të Fesë dhe të Atdheut. Prandej ky botim do të ndihmojë për me kuptue ma mirë përpjekjet, mundin, flijimet, dhe veprimtarinë e Fishtës ndër lamije të Fesë, të Kulturës dhe të Atdheut.
Letrat janë përkthye në gjuhën gege, bash në atë gjuhë që Fishta e ka folë dhe shkrue. Përgëzojmë përkthyesin për arritjen e këtij qëllimi, tue na pru, në gjuhën shqipe, me nji përkthim cilësor, nji pjese të letërshkëmbimit, në gjuhën e vetë Át Gjergj Fishtës, tue na pasunue traditën e shkrimit të gegnishtes, aq e dashtun dhe e preferueme nga fretnija françeskane deri në kohën tonë./gazetashqiptare