Branko Merxhani: Pse nuk jam marksist?


Filozofia marksiste nuk lë asnjë çështje pa e futur nën klishenë e saj të përgjithësimit. Kërkon që disa formula ndërkombëtare, që paska shpikur, të zbatohen njëlloj në tërë ngjarjet dhe çështjet. Studime krahasore ekonomike dhe përfundime të gjurmimeve të bëra mbi zbatimin e Teorisë së Analogjisë kanë mposhtur gjithë këto “zgjidhje shpëtimtare” të marksizmit si kërpudha të dobëta dhe të ushqyera mangët të arës ideologjike të njerëzimit.
Midis botëkuptimit evropian dhe botëkuptimit Marksist ka një ndryshim në themel. Të dyja këto botëkuptime nuk ndahen vetëm në punën e përshkrimit të historisë ose edhe të komentimit të përfundimeve të qytetërimeve të ndryshme, por ndahen në një pikë shumë të mëparshme, ndahen në parimet që shërbejnë si bazë studimi rreth problemeve të jetës dhe rreth fatit të botës.
Nëse Marksistët pandehin se kanë zgjidhur problemin e ekuilibrit brenda në shtet ose nëse predikojnë se paskan zbuluar çelësin e çuditshëm të parajsës së ardhshme, mua më duket se tërë këto trumbetime dhe paralajmërime s’janë tjetër veçse vjellja e injorancës së tyre. Ose shumë-shumë bëjnë gabimin e pafalshëm të lënë krejt mënjanë pjesën me të madhe të faktorëve që shkaktojnë dhe përfundojnë zhvillimin e ngjarjeve njerëzore.
Rusia u mundua shumë të përhapi gjëmimin revolucionar ndërkombëtar që prej kufijve të saj perëndimore gjer në bregdetet e Atlantikut. S’bëri gjë. Ose bëri vetëm këtë: Thelloi më tepër hendekun e ngatërresave midis popujve, madhëroi dallgën e mizerjes dhe në disa vende të perëndimit shkaktoi një kthim – qoftë edhe të përkohshëm – në kohët mesjetare.
Thonë disa: “Qeveria bolshevike për hir të lumturisë të brezave të ardhshëm sakrifikon jetën dhe lumturinë e brezave të tanishëm”. Mirëpo këta harrojnë se Marksistë kanë qenë prapë ata që kritikuan ashpërsisht kapitalistët e pafajshëm? Se u sakrifikuan breza të tërë punëtorësh që të sigurojnë të ardhmen e punëtorëve të sotshëm të Anglisë?…
Unë jo vetëm se nuk jam anëtar i parimeve doktrinare të shkollës Marksiste, por jam edhe anti-komunist. Hem si njeri mendimtar, hem, dhe bile shumë më tepër, si njeri – shqiptar.

(1937)

ObserverKult