Ishte fundi i viteve ‘20, kur Branko Merxhani erdhi në Shqipëri, me kërkesë të Vangjel Koçës. Menjëherë, ai hyri në jetën intelektuale shqiptare dhe në vazhdim, gjatë viteve ‘30, u bë një nga figurat kryesore të debatit rreth të ardhmes së Shqipërisë dhe modelit që duhej ndjekur, duke krijuar “Neoshqiptarizmën”.
Pikëpamjet e tyre, ata i parashtruan në gazetën “Demokratia” të Gjirokastrës, si dhe në një varg organesh të shtypit që botoheshin në Tiranë, si: “Illyria”, “Minerva”, “Neoshqiptarisma”, por në mënyrë të veçantë, në revistën e përmuajshme kulturore “Përpjekja shqiptare”, organ kryesor i “neoshqiptarëve”. “Përpjekja” ishte një ndër revistat më cilësore të shtypit shqiptar, që u çel në tetor 1936 me drejtor-pronar, Branko Merxhanin. Numri i parë i saj, do të fillonte me një shkrim të Merxhanit, “Duke filluar nga puna”, me moton “Politikë s’ka! Vetëm kulturë!” Kjo revistë vijoi deri më 1939.“Përpjekja Shqiptare” do të vazhdonte në gjurmët e “Demokratisë”, çelur më 1928-ën, në Gjirokastër, nga Vangjel Koça dhe Branko Merxhani. “Demokratia” në Gjirokastër, u botua për rreth 4-5 vjet. Lëvizja mendore ka qenë motoja e asaj reviste të përjavshme dhe mikroskopike, që dilte vetëm një faqe çdo të shtunë.
Ndriçim Kulla – Pjesë nga libri “Bota shqiptare e Branko Merxhanit”
Është fakt se, vitet 1920-1944 qenë një epokë e madhe shpresash, kërkimesh, angazhimesh dhe përgjegjësish. Një teleskopim eklektik i parrëfyeshëm mesjete, humanizmi, iluminizmi e romantizmi, në moral, në lamije të dijes, në shoqëri e në të bëra. Duket sikur analistët e sotëm të shtypit dhe të mediave, për mungesë njohjeje dhe familjarizimi me mendimin shqiptar të traditës, vazhdojnë të sillen në një qark mendimi të mbyllur, pa qenë të vetëdijshëm se, në rastin më të mirë po përsërisin çfarë është thënë më parë prej etërve të mendimit shqiptar. Epoka jonë e mbas nëntëdhjetës duhej të na rilidhte organikisht me tranzicionin e paspavarësisë, përmes një qarku të shkurtër që do ta nxirrte praktikisht jashtë loje periudhën komuniste. Të gjithë jemi dëshmitarë të asaj çka po ndodh: duke rizbuluar shkollat perëndimore, modelet perëndimore dhe mendimin perëndimor, ne po kujtohemi fare pak dhe vetëm spontanisht për traditën e atyre viteve, e cila u nis nga të njëjtat premisa perëndimore, për të bërë një rrugë të gjatë dhe të sigurt. Në vend që të pozicionoheshim në pikën e ndërrimit të stafetës së brezave, ne u pozicionuam sërish në start. E tash po konstatojmë me habi, se gara jonë qenka e gjatë.
Po përse vallë, ku mbështetej pika e qëndrimit të tij, që qëndronte kaq lart?
Pika e vëzhgimit t’onë është e vendosur mbi një majë ndërmjet një dheu, i cili po fillon të mbruj kallëpe të reja dhe kemi për kundruall gjat’ e gjerë një horizont të hapët me gjithë thellësinë e tij të panjohur e me gjithë mysteret e veta. Për këtë shkak themi se ndjekim me një farë shqetësimi këtë polemikë…. e cila sot nuk kontribuon aspak në ndriçimin e shënjavet t’errta t’epokës, të cilat mundojnë ndërgjegjen t’onë dhe kanë të bëjnë drejtëpërdrejtë me interesat më jetike të kombit.
Po cilat janë vallë ato shenja të errëta të horizontit ku ka arritur zhvillimi i kohës së sotme shqiptare, që ne mund të ndriçojmë?
Shqipëria e jonë e sotme është një Botë kaotike e vogël. Trazimi dhe anarkia, që mbretërojnë sot në gjuhën t’onë, nuk janë veç se vetëm një pjesë, një pamje, një fazë e prishjes s’onë historiko-shoqërore. Gjithë ky trazim, gjithë kjo anarki mbretërojnë edhe në të gjitha çfaqjet e tjera të dynamismës s’onë qytetëronjëse. Në idetë dhe tendencat t’ona shoqërore, ca më shumë në kuptimet t’ona mbi formën dhe esencën e institutevet t’ona shoqërore. Ësht një anarki, e cila ka thëthitur të gjithë po thua jetën t’onë. Ideale s’kemi. Racionalisma e jonë është po thua si e djemvet. Dispozita për një gjyrmim të ngulur shkëncor dhe systematik na mungon krejt.
Nga ç’shkaqe dhe burime mund të jetë trashëguar një gjendje e tillë?
Rrojmë në një qark njerëzish i cili si ndjenjë dhe ide, përfaqëson kaos-in e Saharasë brënda në zëmrën sentimentale dhe ideologjike të Europës. As një hije, as një pemë, as një pikë ujë!…Jeta shqipëtare, shpirti shqipëtar janë nga një pikëpamje e thjeshtë psykologjike dhe sociologjike, një terra incognita (tokë e panjohur) e madhe akoma dhe për neve vetë, për bijt e këtij vëndi…Shqipëria, brënda në qarkun e qytetërimit evropjan, është vëndi i cili i ngjan një spitali popullor sëmundjesh psikologjike… Jemi bijtë e një race, e cila mbetet apathike, e pa-interesuar dhe e pa-influencuar brënda në një botë të tërë luftërash idealistike, brënda në një pellg korrentesh mendore” . Jemi bij të një vëndi ku mendimet filosofike nuk janë lindur fare, ose përbëhen vetëm nga disa arnime artificiale, pa themel, pa shije, pa sinqeritet, dhe pa asnjë lidhje të brëndëshme as me jetën t’onë si individ, as me fatin t’onë si “Shoqëri” e “Komb”. Prandaj s’ka asnjë dyshim se kemi për të fituar shumë gjëra të dobishme në se do t’i hapim pakëz më mirë syt e veshët që të ndjejmë se ç’bëhet jashtë nëpër viset rreth e rrotull, dhe të shohim me ç’mendime, me çpërpjekje është mbushur atmosfera shoqërore e vëndeve që qysh prej shekujsh ecin në vijën e parë të luftës për jetë, për dritë dhe për ideal. Dhe jemi të mendimit se një nga detyrat më kryesore që duhet të plotësomë né – intelektualët e shkretë të këtij vendi – është përhapja sa të jetë e mundur më tepër e dritës, më tepër interesim mendor, më tepër dhëmbje njerëzore, jo vetëm në rrethin e ngusht të dhomavet t’ona, por edhe tej-për-tej nëpër erën shoqërore t’atdheut.
Po dallimet e periudhës së tranzicionit midis dy rilindjeve, asaj kombëtare dhe asaj shpirtërore që ju keni promovuar, si mund t’i sintetizoni?
Një brez luftëtarësh nuk çan kokën për historin. Ai lufton për idealet dhe bën historin duke jetuar dhe vepruar me spontanitet, me fuqinë e shpirtit, brenda tymeve të kohës. Përshkrimi dhe kthjellimi i historis së tyre është një punë që i përket brezit të sotshëm të pajisur me armën e Kulturës dhe me zotësin e teknikës historiografike. Bile si mbas pikëpamjes s’onë vlera psiko-morale, ndjenja e sakrificës dhe spontaniteti i veprimit, që karakterizon grushtin e vogël të militantëve të periodës së parë të rilindjes kombëtare, është shumë më i lartë nga vlerat psihiko-morale që kanë ose që nuk kanë për të treguar militantët e ditëve t’ona. Bota e j’onë është duke kaluar një etapë transitive epokale, ndërmjetësit e së cilës, nuk mund të maten siç pandehin disa flamurtarë të përciptë, nga data e rrëzimit të një kabineti A, gjer më datën e formimit të një kabineti B, por mund të maten brenda në një ndërmjetësi kohe shumë më të gjerë e më kuptimplotë, që i përfshin në thellësin e saj Epokat e tëra. Intelekti shqiptar brenda në procesin e këtij kalimi që bënë shoqëria e jonë, nuk gjeti ende kohën e nevojshme dhe nuk gëzoi kondita të favorshme për të formuar nga brenda gjer me një shkallë sa që të fitojë zotësi veprimi për të udhëhequr me një farë ndërgjegje mendore fazën tranzitore brenda në të cilën rrojnë turmat e shkatërruara të këtij vendi. Fenomeni shoqëror dhe valet anarshike të tij që na heqin dhe tërheqin një herë andej një herë këtej, është disa herë më i madh, më i fort, më kompleks se gjithë shtati që ka për të paraqitur sot Intelekti ynë. Kurse brezi i kaluar, të paktën nga pikëpamja sociologjike e historike ka qenë një brez i stabilizuar. Jetonte brenda fazës së fundit por edhe më në lëvizje të një Perandorie kolosale që gjendej n’agoni e sipër dhe kazani i zjarrtë i këtij shkatërrimi bujë-madh me hovet e tij për të prishur ose për të shpëtuar, kontribuojti me një mënyrë pothua inkosiçiente, në formimin e ndërgjegjes dhe intelektit të tij, intelekti ndofta jo i pasur si sasi, por i lartë dhe i stabilizuar si cilësi –intelekt që dinte ç’kërkonte, sepse u rrit dhe u pajtua fare mirë me kërkimet dhe me mendimet ndryshonjëse t’epokës brenda në të cilën merrte frymë, frikë dhe shpresë. Puthitja e kohës që ndodhet midis historis së rëzimit të Turqisë dhe të ngritjes së Shqipërisë, nuk është një rastisje aventure datash. Krijimi i Shqipëris e çkëputi botën t’onë befas dhe pa përgatitje të plotësuara nga bazat e saja të para dhe intelekti shqiptar mbeti një ditë fare pa pandehur i hutuar dhe i vetmuar midis dy botëve të kundërta – midis Orientit dhe Oksidentit. Ja ky është, me një përshkrim shumë të shkurtër dhe jo analitik, gjithë labyrinthi i historis brenda në të cilin vërvitet intelekti i ynë duke kërkuar të gjejë një shteg formimi dhe një mbështetje adaptimi që imponojnë konditat e paraqitura për neve qysh një çerek shekulli. Puna e jonë ka ndryshuar që nga themeli. Atëherë formën e kishim pothua gati; kurse tani është nevoja që t’a gjejmë edhe t’a krijojmë vetë ne. Është krejt hera e parë në gjithë historin e botës që një brez shqiptar gjendet para një detyre të tillë!…
Pra, mendon se po shkojmë keq e më keq edhe nga pikëpamja e kulturës dhe sidomos intelektualitetit?
Duhet t’a pohojmë me dorë në zëmër dhe me thjeshtësi shpirti këtë gjë: Është e vërtetë se në Shqipërin e sotshme nuk kemi një “opinion publik” të fuqishëm dhe të kristalizuar sa që të rrëfejë vehten e tij si një fuqi udhëheqëse bindëse mbi shvillimin e jetës s’onë shoqërore. Gjithashtu është prapë e vërtetë se nuk kemi edhe një “lëvizje mendore” të punuar dhe të formuar gjer në një shkallë sa që të mundij të bëjë dhe të shkaktojë reflektime mbi jetën t’onë intelektuale. Një lëvizje iderash jo si qëllim përfundor, por si një pikënisje dhe si një mjet mendimi për të përshkruar, klasifikuar dhe komentuar gjith’ato problema që kanë të bëjnë me analizimin e strukturës së veçantë që paraqet shoqëria shqiptare në ditët t’ona.
Atëherë, cila është ajo gjë që na nevojitet parësisht?
Është një gjë e ditur se procesi i mbrujtjes të një nation-i është, në radhën e parë, një proces psikik dhe shoqëror; nuk është një proces i vetëm ekonomik. Ka të bëjë dhe duhet të ketë edhe një ideologji. Ideologjija është një përpjekje mendore dhe intelektuale, ka më tepër një ngjyrë individuale, dhe është armik i rreptë i çdo lloj kompromisi. Prijësit politikë të popujve nuk janë njëkohësisht edhe prijsët intelektualë të tyre. Qëllimi i përpjekjes sonë është një evolucjon dhe jo një revolucjon. Varet nga ndryshimi i koncepsionit, të systemit dhe jo nga shkëmbimi i thjeshtë i personavet. Varet nga reforma e institucioneve tona politike si mbas nevojavet të reja të jetës.
Ju ofruat edhe një ideologji të veçantë si zgjidhje; a ka kaq shumë fuqi ideologjia?
Kur një njeri rron brënda në ëndrrën e ideologjisë së tij, kur beson në dynamismën mrekulluëse, vetëm të idevet shoqërore të brëndësuara, kur kraharori juaj fryhet me enthusiasmën e pa-arritëshme që shpërndan dashuria e besimi në të arthmen kombëtare, vetëm ahere shpirti i njeriut që mendon vjen në prekje shpirtërore dhe merr vesh thellë kuptimin transformonjës e kryengritës që përmban brënda saj kjo fjalë e shkurtër.
Atëherë, nga duhet t’ia nisim?
E gjithë jeta dhe historia jonë paraqitin një fenomen të çuditshëm ngeljeje dhe shterpësie qytetërimore e ideologjike. As politikë kemi, me kuptimin e thjeshtë e të sinqertë të kësaj fjale, as edhe ideologji, që paraqet një përmbajtje intelektuale të vërtetë dhe që vlen kët emër. Na mungojnë kryekëput që të dyja. Politikisht keq, ideologjikisht më keq. Ne u munduam ta zgjidhim problemin e ideologjisë, nëpërmjet Neo-shqiptarizmës, ndërkohë që fenomeni shoqëror i Shqiptarizmës së shekullit XXI duhet të jetë një fenomen i ri që të përpiqet të gjejë udhën e historizimit të tij. Idetë false ose të falsifikuara, na kanë shpurë në faliment. Idetë e drejta do të na ndihmojnë të rindërtojmë, dhe të rindërtojmë fort. Tërë problemi është një problem qëndre – një problem i organizimit të fuqive intelektuale të vëndit me një drejtim të caktuar dhe me një ndriçim të mjaftuar! Dhe brënda këtij problemi vetëm një gjë shohim, vetëm për nji mungesë ankohemi: “Nuk mund të bashkohemi”. Ç’na mungon vallë? Dispozita e bashkëpunimit, apo mundësija e bashkëpunimit? Mua më duket se nuk na mungon as e para, as e dyta. Na mungon një gjë shum më e thellë dhe më themelore: Na mungon objekti i bashkëpunimit!
Asokohe neoshqiptarët e ofruan veten si objekt i këtij bashkëpunimi, por sot a ka mundësi historike të ndodhë një gjë e tillë?
Neo-shqiptarizma nuk fillon më 1928 (atëherë kur u shkruajt formula e saj e parë), por bashkë me lëvizjen e Rilindjes Kombëtare. Përpjekja e filluar nga një grusht nacionalistësh shqiptarë, aty nga mbarimi i shekullit të kaluar për formimin e shtetit dhe ringjalljen e kombit shqiptar, vazhdon akoma edhe sot. Me krijimin e shtetit të pavarur u bë vetëm gjysma e punës. Me caktimin e kufijëve politikë u ndryshua forma e çështjeve, metodat e punimit, u shtuan mjetet, u zhdukën disa pengesa, por qëllimi i fundëm, ai i formimit të një ndërgjegjieje kombëtare, mbetet gjithmonë, po aty.Kështu shprehej në prag të 25 vjetorit të pavarësisë, njëri nga përfaqësuesit më të mëdhenj të djalërisë shqiptare, Tajar Zavalani. Kjo lëvizje mendore ish shpallur që në fillim të përpjekjes së saj si një urë lidhëse midis fazës së kaluar të Rilindjes shqiptare, të kuptuar si një shqiptarizëm letraro-romantik, dhe fazës së dytë të kësaj Rilindjeje, të kuptuar si një shqiptarizëm të ri radikalo-demokratik, siç do të shprehej për të Merxhani. “Për ne, nacionalizmi nuk është një mjet, por një qëllim”, sqaronte ai. Dhe formimi i ndërgjegjes kombëtare shqiptare është detyra më thelbësore që mund t’i ngarkohet epokës sonë.
Po “Përpjekja shqiptare”, revista zëmadhe që ju themeluat, ç’trashëgimni mendoni se mund të lërë?
Organi ynë i udhëhequr prej parimesh nacionaliste demokratike dëshironte të bëhej vatra në prushin e së cilës të nxeheshin shpirtrat djalosharë që përbëjnë bazën e lëvizjes intelektuale të Shqipëris dhe të Shqiptarizmës. Jetojmë në një kohë kur intelektualët shqiptarë numërohen në pesë gishtërinjt e dorës. Dikur besohej se të gjithë ata që kishin kryer disa klasë liceu dhe kishin qëndruar për disa vjetë me radhë nëpër bankat e universitetit ishin përgatitur për të zgjidhur problemet e mëdha shqiptare. Mendim i gabuar q’u përgënjeshtrua prej kohës.
Në numrin e parë të revistës s’onë vinim një motto: “Politikë s’ka. Vetëm kulturë!” dhe e zhvillonim këtë mendim t’onë: Në një vend si ky i yni, ku problemet themelore jo vetëm nuk janë zgjidhur, por edhe nuk dihet se cilat janë, ku mbretëron një kaos i tmerrshëm mendimesh, ku gjithkush priret prej sentimentesh në vend që t’udhëzohet prej trurit, ku ata që kanë kryer studimet akademike janë shumë, shumë, vetëm profesionistë t’aftë, nuk mund të flitet për një djalëri intelektuale shqiptare. Kjo djalëri duhet, pra, të përgatitet. Dhe përgatitja do punë serioze dhe jo fjalë boshe, aspolitikanizëm. Vija që ne ndjekim ësht: nga kultura në politikë. Kush mendon t’a përmbysë këtë drejtim gabohet. Vetëm kur të kemi një përgatitje të vërtetë mendore mund të hidhemi në sheshin e politikës për të zbatuar mendimet t’ona të kodifikuara. Vetëm atëherë do të jemi të sigurtë se do t’ia arrijmë qëllimit.
Në fazën e parë të përpjekes s’onë jemi munduar të kontribuojmë në formimin mendor të brezit të ri. Parimi ynë udhëheqës, nacionalizëm e pastër, ësht zhvilluar në shumë faqe të “Përpjekjes Shqiptare”, ndër kryeartikuj, artikuj dhe kujtime. Jemi munduar që problemet shqiptare t’i shtrojmë në tryezën e punës, t’i analizojmë dhe t’u njohim shpirtin. Jemi munduar të plotësojmë detyrën që i ngarkuam vehtes për t’i dhënë shkas përhapjes sistematike të shkencave pozitive. Jetojmë në një epokë transitive. Shoqëria nuk e ka marrë akoma formën e caktuar; problemet e saj nuk janë konkretizuar ende. Në botën e zgjedhur shqiptare gjejmë tipa të ndryshëm: disa kanë ideale por u mungojnë idet; të tjerë kanë idera, por u mungojnë idealet. Na duhen nga ata që për të plotësuar idealet e tyre, u vjen në ndihmë ideja. Aspirojmë që t’ia arrijmë qytetërimit perëndimor, por rruga që sot ndjekim është e gabuar. Në vend që të përgatitemi për t’u sosur në sferat e larta të qytetërimit –të përgatitemi shpirtërisht –ne imitojmë gjërat që na bjenë në sy më parë, format e përjashtëme. Duhet t’u rrimë larg frymëzimeve moderniste të pastudiuara: ësht mirë që idet dhe sistemet e huaja t’i pranojmë me rezervë dhe t’i zgjedhim vetëm atëherë kur t’i përshtaten realitetit shqiptar. Për t’u larguar nga imitimet e pavendta prej botës së huaj, na duket se krijimi i një afrimi mendor me botën intelektuale të kombeve ballkanike do t’ishte mjaft i dobishëm. Mbi supat t’onë ngarkohen barrë të rënda, të cilave kemi besim të plotë se do t’u bëjmë ball. Gjithmonë kemi patur besim në fuqin krijonjëse të Djalëris. “Përpjekja Shqiptare” dëshiron që të jetë pasqyra e kësaj fuqije.
Po pas kësaj, cilat janë mjetet dhe rrugët për të arritur te ky proces i komb-formimit që neo-shqiptarizma parashikonte si destinacion?
Demokracia e disiplinuar si një mjet edukimi për të formuar ndërgjegjien kombëtare në vend të ndërgjegjeve të shumta lokale dhe shpirtërore. Demokracia e disiplinuar për të ngritur një shoqëri shqiptare në vend të shoqërive të vogla e të rrethuara brënda qerthujsh të ngushtë zakonesh dhe traditash. Demokracia e disiplinuar për të mbrujtur nga lënda e shëndoshë e një populli dhe nga përvojat negative dhe destruktive të shumë popujve të tjerë, një komb. Demokracia e disiplinuar, ja dhe përseja tjetër e madhe e paralelizmit dhe aktualizimit të thekshëm që kjo platformë mund të ketë me realitetin shqiptar. Nuk jemi as liberalë e as absolutistë, po demokratë të disiplinuar, demokratë me disiplinë dhe një ideal. Sa shumë i ofrohet kjo ide parimit të madh që do t’i adoptohej aq mirë gjendjes sonë: “Të ndërtojmë një shoqëri serioze dhe morale” (29), siç do të shprehet shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare (e që në termat e neo-shqiptarizmës do të bëhej një Shqipëri e ndërgjegjshme dhe idealiste.
E cila ishte rruga që zgjodhët atëherë? Një kombëtarizim i gjallë dhe i shëndetshëm i shkencave filozofike dhe sociologjike?
Parimet filosofike pasi të shtrohen një her’ e mirë duhet të mishërohen dhe të gjallësohen duke u përdorur për sistemimin e materialit kaotik që na jep realiteti shqiptar. Vetëm filosofët mund të merren me punë iderash dhe vetëm sociologët mund të kuptojnë problemet shoqërore. Politikanët spekulojnë me to. Natyrisht kur i gjejnë. Dhe kur nuk i gjejnë, si p.sh. t’anët, atëherë i bien daulles dhe bien nga gafa në gafë duke u vërtitur midis dëshpërimit dhe panikut. Ne të gjithë sot, të gjithë pa asnjë përjashtim, si unë si ti, qëndrojmë para kompleksitetit të tmerrshëm të jetës s’onë shoqërore si një tok të humburësh që nuk dinë se nga ia mban rruga. Pse vallë? Përgjegjia është një: Nuk jemi të formuar mendërisht gjer më një shkallë të mjaftueshme sa që të kuptojmë problemet që i përkasin popullit! Atëhere ja udha: Le të fillojmë të formohemi! Ne na duket se kjo është detyra më e lartë dhe më e parë për të cilën thirren të japin kontributën e tyre intelektualët e vëndit. Studim, formim dhe pastaj veprim.
Po si mund të arrihet një gjë e tillë?
“Para çdo gjëje duhet të jemi njerës praktikë dhe aktivë e që e shohin dhe e duan realitetin. Në vënd që të biem në gjumë qetazi duke i hedhur njërit dhe tjetrit përgjegjësinë e fatkeqësivet që kemi patur në të shkuarën, sytë t’ona të çqetësuara, që duhet të kërkojnë shkaket dhe përgjegjësitë t’i kthejmë pakëz nga vetvetja jonë. Në ballën e kombit t’onë gjëndet një mbishkrim; udhët e shpëtimit dhe të përparimit janë të mbyllura për jetë për ato tufa njerëzish që rrojnë pa patur vlefta morale, ideale shoqërore dhe dëshira kombëtare. Djalëria Shqiptare duhet t’a shtijë në mënd këtë të vërtetë të hidhur, por plot dritë. Sepse, ne çapin e parë të shpëtimit dhe të lartësimit t’onë, do t’a hedhim kur do t’a shohëm e do t’a përballim trimërisht këtë të vërtetë, këtë faqe t’ashpër të realitetit që zotëron jetën tonë.
A jeni të bindur se një ditë këto parime mund të bëhen realitet?
Unë shkruaj semplërisht idet e mia. Dhe në qoftë se këto idera nuk kanë tjetër vlerë, kanë të paktën vlerën e kurajos dhe jo tjetër qëllim përveç se të shtien pak dritë në errësirën e mentalitetit t’onë. Po kjo dritë e paktë do të kontribuojë pa dyshim që brezi i arthëm të shohë shkëlqimin e diellit me kurajo më të madhe dhe me sy më simpathikë. Do të vijë edhe dita në të cilën edhe në majat e malevet t’onë të çveshura do të çfaqet dielli i mendimit, dielli i qytetërimit, dielli i dashurisë shoqërore… Besoja, besoj e do të vazhdoj të besoj me guxim dhe me enthusiasmë, edhe në nevojën edhe në mundësinë e ndryshimit. Është simboli im, idoli im. Me këtë flamur në dorë u shfaqa këtu e tetë vjet më parë në skenën e gazetarisë për herë të parë nga limeret e gurta dhe të djegura nga dielli atje poshtë në Gjirokastrë.
Ja, kjo do të ishte një intervistë e improvizuar në kohë, mes nesh dhe Merxhanit. Atëherë, si do të mund ta destinonim sot, rrugëtimin e asaj bote që krijoi neoshqiptarizma me prijësin e saj. Ishte viti 1928, kur ai nisi misionin e vet. Bota shqiptare, me kësi vegimesh, hyri kështu në një moshë të re, me të cilën edhe sot nuk mund të ballafaqohesh pa mallëngjim./konica.al