Paranoja e diktatorit Enver Hoxha për sulme imagjinare bunkerizuan vendin në fund të vitit 1960. Në fshehtësi në çdo qytet të vendit u ndërtuan dhe u pajisën me orendi bunkerë e tunele nëntokësore. Një nga më të mëdhenjtë është dhe ky në Gjirokastër.
Bëhet fjalë për tunelin e ndërtuar në vitet 1970 që përkon me Luftën e Ftohtë jo vetëm në Shqipëri po dhe në vendet e lindjes. Brenda këtyre ambienteve do të strehohej byroja politike në rast se do të kishte sulme të brendshme apo të jashtme siç thuhej në atë kohë.
Është 800 metra i gjatë. I projektuar si një labirint me degëzime për t’u lidhur me godina të ndryshme të asaj kohe. Punimet nisën rreth vitit 1969-1970 dhe zgjatën 18 vjet.
Një qytet nëntokësor me 60 dhoma, ku se cila prej tyre u ideua të kishte një funksion të caktuar. Mbi dyer janë ende disa tabela që i kanë rezistuar kohës. Hetuesia, zyrat, salla e mbledhjeve janë disa nga dhomat ku kanë mbetur orendi origjinale. Ciceron Bruno Pjetri na shoqëroi, kohë më parë, në disa nga ambientet për të na shpjeguar funksionet e tyre.
“Kjo është zyra e Sekretarit të Parë të Partisë që është dhe personi më i rëndësishëm dhe kjo është dhoma më e madhe po të shohësh është dhe një krevat se ata do punonin dhe do rinin 24 orë në rast sulmi nuklear”, u shpreh, kohë më parë, Bruno Pjetri.
“Kjo është Zyra e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv që është personi i dytë për nga rëndësia për mbarëvajtjen e punëve të qytetit. Siç është kryetari i bashkisë sot. Kjo dhe zyra e sekretarit të parë të partisë janë dhe zyrat më të mëdha në këtë tunel. Dhomat e tjera janë të bardha dhe këto të dyja jeshile për ti veçuar për rëndësinë” tregoi më tej ai.
“Kjo është salla e mbledhjes ku supozohej se këtu do fillonin një ditë normale pune nga punonjësit e byrosë politike kjo ndan tunelin në dy pjesë ku nga njëra anë është Komitetit Qëndron i Partisë dhe nga ana tjetër Komiteti Ekzekutiv”, tha ai kohë më parë.
Kapaciteti i këtij tuneli u llogarit për 200 deri 300 persona që do të qëndronin për një periudhë 2-3 mujore. Nuk ka munguar as aspirimi, gjeneratorët nëse energjia do ndërpritej, depo uji edhe ushqimesh.
“Janë rreth 60 dhoma gjithsej janë 4 hyrje dalje në çdo hyrje ka një dhomë, ventilimi dhe katër pesë dhoma që shërbejnë si depo që do përdoreshin për punonjësit e udhëheqjes. Kemi dhe vendin ku do konservoheshin ushqimet këtu në këtë dhomë ku jemi. Çdo 6 muaj ndryshonin ushqimin, imagjinoni ç’humbje mund të këtë pasur për ekonominë.
Përgjatë gjithë tuneli ka tubat ventilimi. Ka pasur dhe depo të uji. Këtu ka pasur energji po nëse, do kishte problem do përdoreshin gjeneratorët. Këtu është një gjenerator kanë qenë dy po një u vodh nga njerëzit pas viteve ’90. Gjeneratori është i markës “skoda” i vitit 1968 është çek dhe punonte me naftë, këtu janë dhomat e depozitimit të naftës”, tregoi ciceroni.
Me tunelin jo pa qëllim lidheshin dhe dy institucionet më të rëndësishme të asaj kohe. “Ky është tuneli që lidhte Komitetin e Ekzekutiv me Komitetin Qendror të Partisë është 400 metra i gjatë po fatkeqësisht ka rënë një pjesë. Veçantia është se është i vetmi tunel poshtë një kalaje. Në jemi saktësisht poshtë Kalasë së qytetit, diku rreth 80-90 metra poshtë tokës”.
Shumë orendi u grabitën pas vitit 1990, ato pak që janë origjinale. “Në 1997 më tepër tuneli u shkatërrua, njerëzit hynë brenda dhe shkatërruan çdo gjë, karrige, tavolina. E hapëm për vizitorë në 2014 dhe jemi munduar ta bëjmë sa më atraktiv” thotë Bruno Pjetri./(javanews.al)
Lexo edhe: