Restaurimi i Xhamisë së Et’hem Beut, monument kulture i kategorisë së parë, ka nisur vitin e shkuar, me qëllim konsolidimin e pjesëve të dëmtuara nga koha. Grupi i specialistëve po punon me kujdes deri në detajet më të imëta.
“Problem ishte shkëputja e pikturës nga suporti. Vumë mbrojtje me letër japoneze dhe e ngjitëm. Teknika është me dorë të lirë, ka mjeshtri”, thekson Adrian Cene, restaurator. Puna është zgjatur edhe për shkak të situatave që ka kaluar vendi. “Pati dëme nga dy tërmetet në shtator dhe nëntor. U detyruam të ndërhynim sërish pas tronditjeve”, shton Cene.
E ndërtuar nga fundi i vitit 1700, ndërhyrja e fundit ka nxjerrë në dritë pjesë të fshehura nën struktura të mbivendosura gjatë kohës. “Zbuluam se kishte fragmente të reja. Ishte në formë stukoja, doli piktura origjianle. “Fshehja” mund të jetë bërë pas viteve 1970”, deklaron restauratori. Xhamia e Et’hem Beut ka qenë pjesë e qendrës historike të Tiranës, nga e cila ka shpëtuar vetëm ajo dhe Sahati.