Brenga e studiuesve të Martin Camajt: Ende i panjohur në Shqipëri

martin camaj
Martin Camaj

Studiues të letërsisë e pedagogë kujtuan veprën e shkrimtarit Martin Camaj. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Shqipërië zhvilloi një simpozium me rastin e 99-vjetorit të lindjes së Camajt, por që për studiuesit është ende i panjohur në Shqipëri. Leximi i veprës së Camajt, njohja dhe studimi i saj, vepra e tij të mbërrijë tek të rinjtë dhe të tjera çështje me krijimtarinë e autorit u trajtuan nga studiuesit.

Simpoziumi u hap nga Alda Bardhyli drejtoreshë e QKLL-së, që tha se nga fillesat e vargjeve të para të rinisë së hershme e deri kur formimi i tij universitar do të ravijëzonte një strukturë moderniste tek poeti Camaj.

“Ai endi fjalë që kishin të bënin me realitete të kujtesës së hershme, që vinin nga vendi i tij i lindjes, portrete njerëzish që kishin bërë rrugëtimin e tij, më pas Shqipëria në vështrimin e largët të një të arratisuri. Djella që ai e shkroi gjatë kohës kur ishte në Romë, nuk është gjë tjetër veç një sunduk kujtimesh mbi atdheun. Nga Mynihu më vonë ku kaloi vite të tëra jete deri në ikje, ai poetizoi dhe ndërtoi një atdhe të jashtëzakonshëm”, tha Bardhyli.

Vepra e Martin Camajt sipas Bardhylit përshkruhet nga një modernizëm, i cili e vendos letërsinë shqipe në kuota zhvillimesh bashkëkohore.

“Camaj mbetet një figurë që do jetë gjithnjë e mbuluar nga një kureshtje e përhershme ashtu siç janë poetet, për mënyrën sesi jetoi, mendoi e veproi, për modelin e intelektualit të angazhuar ndoshta nga më të rëndësishmit e Shqipërisë së shekullit XX”, u shpreh drejtoresha e QKLL.

I pranishëm në simpozium, ishte edhe botuesi i autorit Bujar Hudhri që u shpreh i keqardhur për mosnjohjen e Camajt përtej qarqeve letrare. Ai shtoi se 100- vjetori i lindjes së tij duhet të sensibilizojë shtetin për t’i dhënë vendin e merituar.

“Në 1995 binte 70- vjetori i Camajt. U botua një seri e librave të parë. Mbaj mend që qeveria akordoi një shumë të madhe. Nuk lexohet më. Shkollat nuk duan t’ia dinë dhe kjo është një brengë e madhe që edhe në këtë vit që po shkojnë 100 vjet Camaj ende nuk është i njohur në Shqipëri. 100- vjetori mund të ishte dhe një fushatë që mund të sensibilizonte edhe shtetin shqiptar dhe të Kosovës që ky zë i rëndësishëm i kulturës shqiptare të zinte vendin që meriton”, tha Hudhri.

Në fjalën e saj zëvendësdekania e Filologjikut Elsa Skënderi Rakipllari tha se Martin Camaj duhet të mbërrijë tek të rinjtë. “Është një lloj dashurie që duhet shpërndarë veçanërisht tek më të rinjtë, që ta njohim realisht më përtej këtyre qarqeve tona disi të mbyllura dhe të njihet dhe të lexohet më në masë vepra dhe i gjithë kontributi i Martin Camajt”, tha ajo.

Shkrimtari dhe studiuesi

Më 21 korrik 1925 lindi Martin Camaj, poet, shkrimtar dhe studiues i njohur i gjuhës shqipe. U lind në Temal të Dukagjinit. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi.

Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza. Një përmbledhje vjershash të zgjedhura i është përkthyer italisht nga Françesko Solano në një botim dygjuhësh Martin Camaj- Poesie, Palermo 1985 (Poezi), anglisht nga Leonard Fox, Selected Poetry, Nju Jork 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe gjermanisht nga Hans-Joachim Lanksch, Gedichte, Mynih 1991 (Poezi). Martin Camaj ndërroi jetë në Mynih më 12 mars 1992./sot.com.al

ObserverKult


Lexo edhe:


SI E NJOFTA MARTIN CAMAJN?