Botuesi Bujar Hudhri nga Shtëpia Botuese “Onufri” në rubrikën “Opinion” në News24, duke folur për figurën e kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare, tha se ka pasur një bashkëpunim 30-vjeçar me shkrimtarin, që përfshijnë një gamë të gjerë ngjarjesh, një marrëdhënie specifike.
Hudhri u shpreh se gjatë bisedave me Kadarenë ai ka thënë që shtëpia botuese është shtëpia e dytë për një shkrimtar.
“Kur jam takuar për herë të parë me Kadarenë ishte dhjetor 1995. Të gjithë mendojnë se Kadare ishte i vështirë, fliste pak, por thonte atë që duhej, nuk ishte i hapur, pra nuk kishte një shoqëri të gjerë. Kam folur në telefon me Kadarenë, përpara se të njihesha, isha i impresionuar nga kjo bisedë. Kadare me njerëzit që nuk kishte afërsi fliste me “Ju”.
Në vitet e para, Kadare vinte në Shqipëri në pranverë dhe vjeshtë, pastaj shtoi ardhjet dhe ditët e qëndrimit në Shqipëri, pastaj kur ndërtoi rezidencën e tij, krijoi ato kushtet e mira për veprat e tij. Pastaj erdhi një kohë që Kadare hoqi dorë nga Parisi dhe takimet ishin pothuajse të përditshme”, rrëfeu Hudhri, detaje nga koha e njohjes dhe takimeve me shkrimtarin.
Ai tha se Kadare ishte konservator, i ruante gjërat, nuk i ndryshonte, ruante miqtë, dhe kjo tregonte seriozitet, tregonte se bashkëpunimi me të ishte frytëdhënës.
Hudhri u shpreh se njohjen ndërkombëtare Kadaresë ia dha “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” që është romani më i famshëm, më i njohur, që e ndërkombëtarizoi shkrimtarin. Sipas tij, ky roman nuk ishte më i miri, por ai e ndërkombëtarizoi, u botua në Paris.
Hudhri tha se ende nuk i besohet që Kadare është ndarë nga jeta, aq më tepër nga një arrest kardiak. “Nuk ka pasur probleme nga zemra, dhe as që mund të mendohej se do të ishte një fund kaq i shpejtë. Ditën e premte ishim në një takim, u bë një tavolinë shumë e këndshme, gazmore, dhe bëra foto. Kisha parandjenjën që do ishin fotot e fundit të tij, nuk e di pse e kisha këtë ndjenjë”, tha Hudhri.
Ai u shpreh se është njoftuar nga familjarët e Kadaresë mëngjesin e së hënës. “Shkova në banesën e tij, e gjeta në atë hollin e madh të banesës së tij. Erdhi urgjenca i bëri ato ndërhyrjet mjekësore për rikthimin në jetë, pastaj u bë transporti në spital. Kadare ishte shumë supersticioz, nuk tregonte asnjëherë përpara një vepër”, rrëfeu Hudhri./gazetatema
ObserverKult
Lexo edhe: