Bujar Lako, aktor që arrinte të realizonte më së miri personazhet që interpretonte

Bujar Lako

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti përkujtoi Bujar Lakon, një prej aktorëve më të mirë të skenës dhe të kinemasë shqiptare.

“Kujtojmë sot me mirënjohje dhe brengën që na la aq shpejt, aktorin e mrekullueshëm Bujar Lako”, tha Margariti.

Bujar Lako lindi në Tiranë më 23 maj të vitit 1946 dhe ndërroi jetë më 26 dhjetor 2016.

Ai ishte një ndër aktorët më të vlerësuar në Shqipëri për aftësitë e tij në aktrim, i cilësuar si një aktor shumëdimensional. Ai vlerësohej prej kolegëve të tij dhe prej kritikës si një aktor që arrinte të realizonte më së miri personazhet që interpretonte.

Në teatër Bujar Lako ka interpretuar rreth 70 role nga të cilat veçohen ato në veprat “Vdekja e një Komisioneri” A. Miller, “Ariu”, “A. P. Çehov”, “Vizita e Inspektorit”, “Xh. Pristli” etj., ndërsa në kinematografi, aty ku edhe publiku e vlerësoi edhe më shumë veçohen filmat “Përballimi”, “Gjeneral Gramafoni”, ”Udha e Shkronjave”, si dhe në një nga produksionet më të vlerësuar edhe në Festivalin e Venecias, atë me titull “Muajt e Mjaltit”.

Bujar Lako gjatë karrierës së tij u vlerësua edhe me shumë çmime. Disa herë ka fituar çmimin si aktori më i mirë në festivalet e filmave në Shqipëri, “Palmën e Artë” si aktori më i mirë në festivalin ndërkombëtar të filmit në Kajro, një festival i kategorisë “A” për kinematografinë botërore.

Bujar Lako është nderuar gjithashtu edhe me urdhrin “Naim Frashëri” i Klasit të Parë, me titullin “Artist i Merituar” në vitin 1985 dhe në vitin 2013 iu dha edhe dekorata “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës./ATSH


Lexo edhe:

DONIN TË NDANIN BUJAR LAKON NGA E DASHURA E TIJ”, HISTORIA FANTASTIKE E DASHURISË

ObserverKult