Pasi ia doli mbanë pas një periudhe të vështirë shëndetësore, Bujar Qamili përjetoi një tjetër emocion: u nderua, kohë më parë, me titullin “Nderi i Kombit” nga ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.
Këngëtari i madh ndau emocionet me gazetën “Panorama.al” dhe periudhën e vështirë në spitalin italian, ku thotë se e kthyen sërish në jetë.
– Publiku jua ka dhënë me kohë titullin “Nderi i Kombit”, por tani e keni marrë edhe zyrtarisht nga Presidenti i Republikës, si u ndjetë?
Është më se e vërtetë që publiku ma ka dhënë me kohë titullin “Nderi i Kombit”, megjithatë jam shumë mirënjohës dhe i gëzuar që këtë titull e marr nga Presidenti i Republikës. Repertori im i pasur me këngët më të spikatura shkodrane e nga gjithë Shqipëria, dëgjohet në të gjithë me kënaqësi nga të gjithë shqiptarët. Nuk mund t’i fsheh emocionet dhe kënaqësinë që ka qenë shumë e madhe jo vetëm për mua, por edhe për familjen time, që e pritën me lot në sy.
-Periudha e pandemisë e kufizoi shumë jetën artistike, si ka qenë për ju?
Ka qenë një periudhë tejet e rëndë jo vetëm për mua dhe familjen time, por për të gjithë shqiptarët që kanë kaluar momente të vështira, madje kanë humbur edhe njerëz të afërt, njerëz të zemrës. Na izoloi, duke e penguar punën tonë dhe për dy vjet nuk kemi kënduar në asnjë vend, megjithatë nuk kam pushuar asnjëherë. Në kulmin e pandemisë vendosa të jap një koncert në qendër të qytetit, që pati një shikueshmëri shumë të madhe, aq sa përmendet edhe sot për këtë fakt.
–Kemi dëgjuar që keni kaluar një situatë të vështirë shëndetësore…
Personalisht e kam kaluar rëndë pandeminë. M’u desh ta kaloja në spitalin e Lecco-s në Itali. Dhe për këtë falënderoj të madhin Zot, që më ktheu në jetë, por edhe mjekët, që bënë të pamundurën për të më ndihmuar. Ka qenë periudha më e vështirë e jetës sime, por tashmë jemi disi më të qetë, kanë filluar sërish koncertet. Për mua është një jetë e dytë dhe këtë ia dedikoj Zotit, por edhe djalit tim, Artionit, që është muzikant, kitarist, profesor në shkollën e muzikës dhe familjes sime, bashkëshortes, që më kanë qëndruar përgjatë gjithë kohës mbi kokë. Kujdesi i tyre ka qenë jashtëzakonisht i madh dhe sidomos im bir.
*Intervista është realizuar kohë më parë…
Lexo edhe:
NGA FËMIJËRIA E PUNA NË NDIHMË TË FAMILJES TE NDËRMARRJA E KALDAJËS, FLET BUJAR QAMILI