Këngëtari i muzikës popullore Bujar Qamili prej ditësh është izoluar bashkë me familjarët e tij.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Vizioni i Pasdites” nga Shkodra, me humor ai komentoi edhe situatën e koronavirusit, duke thënë se shkodranët e “hëngrën” në fund, sikurse Vllaznia në minutën e fundit.
“Ne shkodranët në fund e hëngrëm. Edhe ne si Vllaznia, në minutë të fundit.
Është hera e parë në jetën time që kam qëndruar kaq shumë dhe kaq gjatë në shtëpi.
Ne artistët i kemi të përjavshme udhëtimet jashtë shtetit dhe na ka bërë mirë që të qëndrojmë afër familjes.
Nuk duhet të dalim nga shtëpia, kjo është gjë e mirë.
Çdo udhëzim që jepet nga mjekët duhet zbatuar me rigorozitet.
Ne në qytetin tonë mundohemi të jemi mirë duke parë se çfarë po ndodh me Italinë, zoti na ka ruajtur”, tha ai.
Sa i përket lajmit të trishtë që mjeshtri i madh i humorit Gëzim Kruja u nda nga jeta, Qamili u shpreh:
“E gjithë Shkodra dhe e gjithë Shqipëria nuk e priti mirë. Ai ka qenë një ndër personalitetet më të shquar të artit shqiptar.
Nuk kishte si të kishte më keq për Shkodrën.
Përcjellja e tij duhet të ishte bërë te teatri Migjeni.
Nuk gjej fjalë çfarë të them, është një dhimbje shumë e madhe.”