E hapur për vizita që nga viti 2016, “Bukuroshja e Fjetur” vazhdon të hulumtohet edhe sot, e prej atraksioneve të radhës janë galeria e ura e re, e cila ofron qasje më të lehtë dhe më të mirë për të gjithë vizitorët
Rreth 11 kilometra larg qytetit të Pejës, aty ku buron Drini i Bardhë e ujëvara madhështore zbukuron edhe më vargmalet e Bjeshkëve të Nemuna, “Bukuroshja e Fjetur” e Radacit ruan në vete hijeshitë natyrore që janë krijuar bashkë me njerëzimin.
Në mbi 3 mijë metra gjatësi, përgjatë Shpellës së Radacit qëndrojnë tunelet, galeritë dhe korridoret të cilat janë gdhendur nga natyra, e janë bërë të qasshme nga dora e njeriut. Shkas për ndërtimin e një ure të re në këtë shpellë është bërë projekti për zhvillim dhe promovim të turizmit në Pejë, i cili implementohet nga CDF-ja.
Gramen Taraku, menaxheri i këtij projekti, ka thënë se ndërtimi i urës së re ia ka shtuar edhe një atraksion Shpellës së Radacit.
“Në kuadër të projektit ‘Promovimi i Turizmit në Natyrë’, është investuar në ndërtimin e urës së re në këtë shpellë, që do ta ofrojë një galeri të re, e po ashtu do të ofrojë edhe qasje më të lehtë dhe më të mirë për të gjithë që e vizitojnë këtë shpellë. Ky projekt financohet në kuadër të projektit ‘Zhvillimi dhe Promovimi i Turizmit’, që financohet nga Bashkimi Evropian, përmes këshillit regjional për bashkëpunim i cili ndodhet në Sarajevë dhe implementohet nga Fondi për Zhvillim Komunitar apo CDF-së në Kosovë”, ka thënë Taraku, duke e theksuar rëndësinë e investimeve në atraksionet turistike natyrore.
Rreth 250 metrave të qasshme për vizitorë tani i është shtuar edhe një galeri.
Alpa Bojku nga Shoqata e Speleologëve “Aragonit” ka thënë se Shpella e Radacit ka ndikuar dukshëm në rritjen e turizmit në rajonin e Dukagjinit e, sipas saj, arsye për vizitat e shtuara kanë qenë shtigjet e reja që e lehtësojnë rrugën deri të shpella dhe në brendësi të saj.
E hapur për vizita që nga viti 2016, “Bukuroshja e Fjetur” e Pejës vazhdon të hulumtohet edhe sot, ndërsa në anën tjetër të qytetit jeta u është rikthyer shpellave të Grykës së Rugovës.
Ndryshe nga ajo e Radacit, shpellat e kësaj gryke gjenden në qindra metra lartësi dhe, në kohë të ndryshme e për arsye të ndryshme, janë krijuar nga njeriu./Koha.net