
Nga Ismail Syla
Aristoteli dhe dy gjethet
Nxënësi solli dy gjethe
nga e njëjta pemë.
Njëra ishte e madhe,
tjetra e mbledhur dhe e zbehtë.
– Cila është gjethja e vërtetë e fikut?
Aristoteli i vendosi pranë.
– Nga i more?
– Të madhen nga dega mbi pus.
Tjetrën nga ana e murit.
Aristoteli u ngrit.
– Po shkojmë te pema.
Nxënësi zgjati dorën t’i merrte.
– Lëri. Merr kovën me ujë.
Platoni dhe poçari
Poçari e la mënjanë
një kupë që kishte dalë shtrembër.
– Kjo nuk doli siç duhej.
Platoni e rrotulloi mes duarve.
– Çfarë do të bësh me të?
– Do ta thyej.
Nga dera hyri një fëmijë
dhe kërkoi ujë.
Poçari mori kupën,
e mbushi
dhe ia afroi.
Fëmija piu me të dyja duart.
– E ke mbaruar? e pyeti Platoni poçarin.
Ai vazhdonte ta shihte fëmijën.
Seneka dhe Musoni
Një shërbëtor solli ujë
dhe rrëzoi gotën te pragu.
U përkul menjëherë,
me duart që i dridheshin.
Seneka pushoi së foluri.
Musoni i zgjati pecetën
dhe i tha të mos prekte copat.
Kur mbetën vetëm,
Seneka kërkoi ta vazhdonin bisedën.
– Çfarë po thosha?
Musoni pa nga dera.
– Se zemërimi kalon shpejt.
Kanti dhe ora
Burri që i ndihmonte në shtëpi
erdhi më vonë se zakonisht.
Kanti ngriti sytë nga ora.
– U vonove.
– Një plak kishte rrëzuar karrocën.
Ia mblodha mollët.
Kanti e mbylli librin.
– U vra?
– Jo. Vetëm nuk ngrihej dot.
Kanti i tregoi karrigen pranë sobës.
– Ulu pak.
Më thuaj nëse mbeti dikush me të?
Dekarti dhe Elizabeta
Dekarti po shpjegonte
ndarjen e shpirtit nga trupi.
Elizabeta e dëgjonte
me dorën mbështetur te balli.
– Nuk të bind? e pyeti.
– Sot më dhemb koka.
Ai i afroi një gotë ujë.
Ajo piu
dhe e la gotën mes tyre.
– Ta vazhdojmë nesër? tha Dekarti.
(Elizabeta e preku faqen e shënuar.)
– Mbaje mend
ku na ndërpreu trupi.
Simone de Beauvoir dhe Sartre
Sartre i zgjati faqen e lrtrës
ku po shkruante për lirinë.
Beauvoir lexoi disa rreshta.
Pranë tyre, kamarierja
po mblidhte karriget bosh.
– Do të rrini gjatë? pyeti ajo.
– Edhe pak, tha Sartre.
Beauvoir pa sallën e zbrazur,
pastaj mori pallton.
– Ku po shkon? e pyeti ai.
Ajo ia palosi letrën.
– Mund të vazhdojmë rrugës.
Prishtinë, nëntor 2026
ObserverKult






