Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poetik të Salajdin Salihut.
NJË DITË DO TË KTHEHEM BRIGJEVE TË JONIT
një ditë do të kthehem brigjeve të Jonit
ku më pret ajo
e re
e bukur
e etur për një prekje
për një puthje
trandofile që çel në çdo stinë
thonë tehut të vetmisë ec si somnabul
ditëve ua ha thonjtë e zhgënjimit
kurvëron me vetminë
terri dhe heshtja ia kafshon gjinjtë
flakë i digjet përbrenda
e re
shumë e re është
një ditë do të kthehem brigjeve të jonit
detin e shpirtit s’e ngrin gjëma
I NDEZ CIGARET REND SI ZHAK PREVERI
i ndez cigaret rend si Zhak Preveri
ti s’je në dhomën e zbrazur
brenda më ngulfat vetmia
dritaret kaherë i kam mbyllur
dhe dyert
ku mund të hyjë marrëzia
notoj nëpër tymin e vjellë në ajër
në saksi vyshken lulet…
ca gjethe të vdekura
në një peizazh vjeshte
era e kujtimeve i mbart
si në poezitë e Zhak Preverit
ca gjethe të lehta
si puthje në stacion
ku të përcjell trishtimi
dhe të pret
siç i pret i burgosuri festat
puthje të lehta
si vdekja
ndez cigaret rend si zhak preveri
dhe nuk e rrëfej jetën time
dhe nuk e rrëfej jetën time…
AI QË DASHURON
Ai që dashuron
mbahet për fije kashte
ec nëpër telin e hollë
sipër një honi
Ai që dashuron
është i verbuar
nga ëndrrat
dhe nga pasioni…
I guximshëm është
ai që dashuron
si fëmijë e prek zjarrin
dhe qan vetëm pasi digjet…
KAM SHUMËÇKA TË TË THEM
kam shumëçka të të them bona
po thellë në qenien time banon e pathëna
mund ta lexosh vetëm në sytë e mi
mos i beso fjalës
qëndrimit tim përpara kamerës
si rri i pispillosur me pudër në fytyrë
as kravatës sime të hekurosur si fjali diplomati
demostenët s’kanë vdekur
i tillë jam
kur kokat ua lajm njerëzve
në pikë mesnate
me akullin e fjalëve
besoi të pathënës
mos u bëj e zakonshme
asnjë çast s’dua të ndiej neveri
për ty
KE SHUMËÇKA TË MË THUASH
t’i lexoj mendimet
në sytë e tu ullinj
plot fshehtësi e dhembje
ta lexoj dyshimin
që ta derdhën si helm në vesh
ata që quan të më vrasin qenien tënde
në ëndrrat tua blu
si një xhon lenon
ke shumëçka për të më thënë
e di
po s’jam i shenjtë
jam vetëm njeri
desha ta shijoja gjithë atë që është njerëzore
ta kuptoja pse vdesin të zhgënjyer
ata që e duan jetën…
asgjë mos më thuaj
joko onoja ime
gramatikën tënde të heshtjes e kuptoj
i deshifroj hieroglifet e të pathënës
që s’arrin në veshin
me qendër të prishur drejtpëshimi
asgjë mos më thuaj
kësaj dite i duhet qetësi idil
KEMI SHUMËÇKA T’I THEMI NJËRI-TJETRIT
shumëçka kemi për t’i thënë njëri – tjetrit
po heshtja nuk di pse i pëlqen dashurisë
edhe kjo poezi është e heshtur
vetëm ne mund ta lexojmë të pathënën
ne dy qirinj që digjemi në heshtje
dy poezi që lexohemi me prekje
siç lexohet një libër nga i verbëri Borges
atje në atë pallat të harruar
bëjmë dashuri pa petk droje veshur
përshpëritim të pathënën me gjuhë lulesh
…dhe dashurohemi
të tjerë jemi atëherë
flasim me heshtje
me puthje
me prekje…
VDES PAS GJËRAVE TË IMËTA
vdes pas gjërave të imëta si ti
e thjeshta ime
madhështore
vdekje e përkohshme
dashuria
nismë e një rilindjeje të moçme
vdes për një natë
me një krevat
ku rri shtrirë cullak
dhe pret
të më mbulodh
me trupin tënd fluid
mall
varr
dritë
det
përjetësi
fron përmbi frone
njeri që sfidon shenjtërinë
dashuri
det i kaltër zhgënjimi
harrim i paharruar
që zgjat përjetë
këngë dhiatë
që s’do të kem kohë ta shkruaj
vdes pas gjërave të imëta si ti…
EDHE DASHURITË ARRATISEN
Edhe dashuritë arratisen lodhen si njerëzit
Kanë nevojë të shëtisin
Kanë nevojë për ajër të pastër
Në tjera kështjella ndjenjash të strehohen
Dashuritë janë si njerëzit, e dashur
Tradhëtojnë vetveten
Dhe kthehen aty ku kanë lindur
Si gjithësia
Te një çast i vetëm
————————————–
Biografi
Selajdin Salihu lindi më 1970 në Tetovë. Ka kryer Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Tetovës, ka magjistruar për dramaturgji në Universitetin e Prishtinës dhe ka doktoruar për shkencat filologjike në Universitetin “Shën Cirili e Metodi” të Shkupit.
Disa vite ka punuar si gazetar e redaktor në media kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i disa librave. Shkruan poezi, ese, drama, por edhe studime mbi letërsinë. Poezitë dhe shkrimet e tij janë botuar në disa gjuhë të botës (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rumanisht, gjuhën ukrainase, maqedonisht, turqisht, greqisht, sllovenisht, italisht, kroatisht, bullgarisht, në gjuhën malazeze etj.).
Poezitë e tij janë përfshirë në shumë antologji e panorama poetike kombëtare dhe ndërkombëtare.
Është fitues i disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, sikurse: Çmimi “Serembe”, për librin më të mirë me poezi, Çmimi “PEN Albania” etj.
Ka qenë ligjërues në Universitetin e Europës Juglindore, kurse tani është ligjërues në Universitetin e Tetovës.
ObserverKult
Lexo edhe:
SALAJDIN SALIHU: KAH FRYEN ERA…
Nga Salajdin Salihu
Heronjtë e mendimit të periudhës së viteve 30-të të shekullit XX shumë herë e kanë trajtuar mungesën e ndjenjës për interesin e përgjithshëm te shqiptarët, të cilët, ndonëse flasin për interesin e përgjithshëm, punojnë për interesin personal ose familjar dhe lejojnë që institucionet e shtetit të udhëhiqen me logjikë tribale.
Mendimtarët shqiptarë të kësaj periudhe mendonin se shqiptarët, që kishin parime për jetën vetjake, nuk e çmonin interesin e përgjithshëm.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
Observerkult