Buqetë poetike nga Silvina Ocampo: Paralajmërime të kota…

Solli në shqip: Dashamir Malo

EMRI YT

Askush nuk mund ta shqiptojë emrin tënd
Vetëm unë e di
Atyre u mungon brishtësia, në të cilën ai rrjedh
dhe ëmbëlsia e bashkëtingëlloreve.
Ata nuk dinë si ta dallojnë ngjyrën
e notës së saktë muzikore.
Kjo është arsyeja pse çdo ditë unë përgjigjem
duke shpikur një emër:
blu, zog, fllad, dritë.
Fjalë të zakonshme
që mund të thuhen thjeshtë
edhe pa i ditur ju, pa i dashur.

PASQYRAT

Do të ishte e padobishme të mbuloheshin pasqyrat,
kështu njerëzit brenda tyre nuk do të dilnin jashtë,
njerëzit të cilët janë strehuar atje,
duke pritur që dikush të pasqyrohet
dhe me keqardhje, ose dhembshuri, pa u vënë re,
ata mundin të braktisin shkëlqimin,
banesën ku ata jetojnë,
për të na sulmuar, për të na mbrojtur, ose përshkënditur ne.
Nga fillimet e hershme që unë ndërmend
gjykata qiellore dhe djallëzore më ka ndjekur:
kur dadoja ime Çelestina kopsiti robdëshambërin,
(është e vërtetë ajo po lyente flokët
dhe për ta befasuar kuturisa përbri shëmbëlltyrës së saj)
katër pilivesa fluturuan përreth,
duke parandjerë shi, njëra fshiku faqen time
dhe ndërkohë dolën jashtë
hapësirës ku ajo ishte shëmbëllyer:
ato më ndoqën pas përherë, ose ndoqën pas atë,
pas vdekjes së saj ato u zhdukën,
përveç vigjiljes së stuhisë.
Kur nëna ime u vesh për të shkuar në ballo
dhe lidhi brezin me rripin e saj prej kadifeje të purpurt,
një ëngjëll u nis tok me të, sapo ajo fiku dritën,
duke e shoqëruar atë në makinë
dhe ja pse unë e besoj se ajo u kthye atë natë,
në të cilën unë u drodha gjithë frikë për vjekjen e saj.
Kur mësuesi i baletit
nëmi brenda kutizës sē zezë, tre njerëz me maska,
u shfaqën duke kënduar dhe më vizituan në ëndërr.
Kur mjeku hipi në ashensor
duke lidhur kollaren,
pesëmbëdhjetë fytyra me përparse të bardha,
të cilat nuk munda t’i verifikoja, fshehtas kërcyen përpjetë,
prej kësaj hëne të vogël që ndriçonte shkëlqyeshëm.
Kur Suzana, në një ëmbëltore, më tha
se flokët e mi ishin rrëmujë,
ajo vështroi veten e saj në suprinën kompakte,
pa u menduar, i thashë “Më lër të shoh”.
U përkula në rrethin e ndritshēm:
një dialog i trazuar na habiti, tre rioshë me varëse në qafë,
hollakë, nga të qënit të mbyllur në një rreth te vockël,
dashakeqas,
u ulën në tryezën tonë.
Qysh nga ajo ditë të gjithë ata,
përherë kanë ndërhyrë në bisedat tona telefonike.
Qeni im, i cili admironte veten me vëmendje,
lehu ngulmueshëm,
mendjehollë, ai kishte bërë një trupësi të dukshme
duke braktisur pasqyrën:
një lepur i butë i bardhë më vizitoi pasdite.
Por unë nuk do të listoj macet,
kuajt, gazelët, breshkat,
kanibalët, të palindurit,
xhuxhmaxhuxhët, gjigandët, onanistët,
që u shfaqën nga pasqyrat pangurruar.
Vështrova përbri njerëzve të tjerë,
të cilët nuk i vinin re ata,
të verbuar prej imazhit të tyre.
Tani nuk e ndaj më pasqyrën me askënd,
sepse nëse shëmbëllimit tim i jepet mundësia
t’i lërë ata të lirë, aradha e njerëzve të tjerë,
një botë e shumënumërt,
do marrë formë, ndonëse është e vështirë të ndalet,
sepse pasqyra do thotë “rritet dhe shumëfishohet”,
deri në pikën e përzënies së universit,
duke shpresuar fshehtas për këtë,
pasi e ka përsëritur veprimin për aq kohë,
në ujë, në qelqin vullkanik,
në metale dhe në pasqyrat e mëpastajme.
As nuk duhet të mendojmë se e gjithë kjo është e tmerrshme.
Të pastrehët do të strehoen brenda pasqyrave.
(ata kurrë nuk do të kenë jetuar në vende kaqë dritëplotë)
ata do të dalin jashtë sipas radhës
kur ata që ishin reflektuar,
sjellin ndërmend veten duke harruar përvojën e tyre.

DELFINET

Delfinët nuk luajnë me valët
siç njerëzit mendojnë.
Delfinët bien në gjumë duke shkuar në fund të oqeanit.
Çfarë kërkojnë vallë ata? Nuk e di.
Kur prekin fundin e oqeanit,
befas ata zgjohen dhe ngjiten përsëri,
sepse oqeani është shumë i thellë.
Dhe kur dalin në sipërfaqe, çfarë kërkojnë ata?
Une nuk e di.
Dhe ata shohin qiellin dhe kjo i bën përsëri të përgjumur
dhe ata kthehen në gjumë,
dhe prekin përsëri fundin e oqeanit
dhe zgjohen dhe ngrihen lart përsëri.
Kështu janë edhe ëndrrat tona.

NE ÇDO DREJTIM

Ne e lëmë veten gjithandej,
në shtretër, në dhoma, në fusha, në dete, në qytete,
dhe secili nga ato fragmente
që ka pushuar së qëni ne, vazhdon të jetë
si gjithmonë ne, duke na bërë
xhelozë dhe armiqësorë.
“Çfarë të bëj, për të bërë atë që do dëshiroja të bëja?”
pyesim veten.
“Kush do ta shohë atë që unë do dëshiroja të shihja?”
Ne shpesh marrim lajme të rastësishme
të asaj krijese. . .
Hyjmë në ëndrrat e saj
kur ajo ëndërron për ne,
duke e dashur atë
si ata që ne e duam pa masë;
ne trokisim në dyert e saj
me duar të përvëluara,
mendojmë se do të kthehet në iluzionin e përkatësisë ndaj nesh
gabuar si më parë,
por ajo do të vazhdojë të jetë e pabesë dhe e paarritshme.
Si me rivalët tanë mundnim ta vrisnim atë.
Ne thjesht do të jemi në gjendje
për ta parë shkarazi atë në fotografi.
Ajo duhet te na mbajë gjallë.

PISHAT

Ti nuk e ke dëgjuar rrahjen e zemrës së pemës,
i shtrirë përkundrejt trungut duke kundruar lart,
ti nuk e pe lëvizjen e gjetheve,
me pulsin e zemres,
ti nuk e ndjeve dridhjen
e valëzuar të degëve mbi trupin tënd,
ti nuk e dëgjove zemrën e pishave
kur era i lëviz ato dhe gjethet e tyre
që janë si gjëlpëra aromatike të gjelbra
bien, dhe kur retë kaluan,
ti nuk e vure re se bota ishte rrotulluar,
e gjithë bota, dhe ti nuk e ndjeve
se qielli ishte pikturuar aty afër,
kishte depërtuar brenda pishave,
dhe që ti ishe zhdukur, duke depërtuar në të
brenda pishave,
duke u bërë në atë qiell një tjetër pemë.

PARALAJMËRIME TË KOTA

Kini kujdes me imagjinatën tuaj.
Diku në tokë mbetet, gjithë kohën na ndjek pas
pak nga pak duke u kthyer në realitet të papërpunuar ose delikat
çfarë njeriu ose kafshe, bimësh ose gurësh imagjinarë.
Të sëmurët me ethe, ata që dridhen, ata që dëshirojnë dhe s’mund të flasin,
në dhomat e pritjes, mes faqeve të gazetave, të portokallta,
ata që ia ngulin sytë tavanit, apo të tjerët diellit, të plagosur,
ata që përqafojnë në mënyrë të paligjshme, pa e ditur pse,
ose në hapësirën blu të martesës, ata që shfytyrohen me qeshje të përzemërt,
fëmijët, skllevërit, të padrejtët, ata që shkojnë për të bërë pazar, kasapët,
të burgosurit, ushtarët, tiranët, me fytyrat e këngëtarëve,
notarët, ekzekutuesit e etur, ata që blasfemojnë,
ata që luten ose dhurojnë, misionarët, anarkistët,
të nënshtruarit, krenarët, vetmitarët, ata që nuk kuptojnë,
ata që punojnë gjithë kohën,
ata që lodhen duke mos bërë asgjë
përsëri nuk do të bëni asgjë pa pushuar,
në mënyrë të pakthyeshme, të palindur,
ata që mbajnë simbole në gëzofët e tyre, letra, vizatime,
misteret që askush nuk i ka deshifruar,
ata që lajnë gjithçka gjatë gjithë ditës si rakun,

era e keqe që rrëmon kockat ose të pëgërat,
duke u zhgërryer për të kutërbuar edhe më shumë,
ata që thjesht shfaqen shpirtërorë, harmonikë ose poetikë,
ata që zhvasin të tjerët si ata,
ose veten e tyre, sepse priren për çmenduri,
ata që janë të mbuluar me vija, me shënja, me gurëza dhe frak argjendi,
të egër dhe të zbutur, ata që duan,
ata që hanë njëri-tjetrin në mënyrë që të mbarsin,
ata që jetojnë vetëm në lëndina, apo me qumësht dallandyshe,
ose ata që kanë nevojë për të ngrënë mish të kalbur,
ata që zvarriten ose ca më të bukur, me krahë princërorë
ata të cilëve uji i prajshëm u duket si pasqyrë, të gjelbër të qashtër,
ose të zezë
në humusin e errët të tokës, varrosur,

ata që marrin kaq shumë kohë për të vdekur dhe që nuk vdesin
dhe duken si bimë ose gurë, me shtyrje të kohës
ata që shpëtojnë për mrekulli, nga vetëvrasje, pas shkak
çdo gjë që ata kanë imagjinuar
dhe që ne njerëzit e imagjinojmë
formon realitetin e botës.

TIGRI FLET

Unë që lëviz si uji
në mënyrë gjarpëruese
ashtu si uji unë di sekrete të turpshme.
Kam dëgjuar se ka varreza për qen,
me mbishkrime të sinqerta
për përkujtimin e miqësisë njerëzore,
dhe se ka kuaj aq budallenj
ata gjunjëzohen para zotërinjve të tyre,
buaj që janë skllevër të fermerëve,
mace që janë stoli për zonjat,
si një kësulë apo erashkë,
arinj që kërcejnë me tingujt e një dajreje
nga një burrë apo grua e rrëgjuar,
majmunë që lajkatojnë pronarët e tyre,
elefantë të cilët publiku i përbuz,
foka mjeranë që bëjnë gargarë
për të argëtuar fëmijët,
lopë që e lënë veten të hiqn zvarrë në vetmi, të keqtrajtuara,
që japin qumështin e tyre për këdo,
dele të mësuara
të cilat dhurojnë leshin e tyre
për të bërë veshje ose dyshekë,
gjarpërinjtë që ledhatojnë
kokën dhe qafën e të çmendurve.

Nuk arritëm të biem dakord
për natyrën e vërtetë të njeriut,
disa budallenj mendojnë
ndoshta me mirënjohje
për ata që na admiruan
në kohë të tjera
se njeriu është një zot,
por unë dhe disa nga miqtë dhe armiqtë e mi
mendojmë se ai është i ngrënshëm.
Njeriu i ngrënshëm
është gjithmonë i drojtur dhe fërgëlluar,
pa kthetra dhe flokë ose me shumë pak flokë;
njeriu perëndi i shpërndan ushqimet
me duart e tij, kështu që më kanë thënë,
ai ka një kamxhik në gjuhë dhe në sytë e tij.
Në kohët e lashta, kur ai mori pozitën e tij në arenë,
ose në shkretëtirë, ai mbante një aureolë
ose mbante një shkop magjik,
ai kishte një krifë të gjatë
si një luan, e cila koklavitej në dhëmbë.
E gjithë kjo më shqetëson:
nganjëherë unë ëndërroj
një qilim gëzofi i të cilit
ngjan me timin, dhe qaj
shtrirë në lëkurën time.
Është e çuditshme. E pakonceptueshme.
Por ka gjëra të çuditshme:
A nuk ekzistojnë zogjtë
që kalojnë kohën duke kënduar,
pëllumbat qesharake, dhe një llojshmëri e pafundme peshqish
dhe brumbujsh që nuk jam në dijeni,
por që më shqetësojnë?
A nuk ka një poet që mendon për mua vazhdimisht,
i cili beson se në lëkurën time janë shenjat që zbulojnë
fatin i njeriut të vizatuar nga Zoti
në një poemë?

EPITAF PËR NJË AROMË

Kur vesa ra dje,
mes thekëve dhe kurorave të luleve të ardhshme.
Kam humbur në një kopsht që shfaqi
hijet në formë pemësh dhe ujë.
Dy shirita më lidhën, këtu janë ata:
më shumë se petalet e mia ata duruan,
të zbehtë, si shiritat e njw të vdekuri.
I njëjti partneritet i nënkuptuar i luleve,
duart e ngjashme, kujdesi,
stina dhe gjaku i mbrëmjes,
nuk do të jetë në gjendje të përsërisë saktësisht
tunelet e errëta të aromës sime:
pafundësia do të jetë në kujtesë
shtigjet e ngarërruara të parfumit;
pafundësia, gjithashtu, mashtruese
rishfaqja e çdo momenti.
Dhe ndonëse ditët mund të dëshirojnë t’i sjellin ato përsëri,
dhe ndonëse shumë rrethana bashkohen së toku –
përsëritja e frazave ose e njerëzve,
e njëjta prirje e mendjes –
as nuk ekziston ai person,
për të cilin unë kam qenë në fshehtësi e paracaktuar.

_______________________________

*Silvina Ocampo lindi në Buenos Aires në vitin 1903, më e vogla prej gjashtë fëmijëve në një familje argjentinase elitare. Motra më e madhe e Silvinës, Victoria, më vonë u bë një autore dhe themeluese e revistës Jug dhe mbahet mend si një nga figurat e shquara të kulturës argjentinase. Pas edukimit fillestar që mori në shtëpi, Silvina më vonë do të studionte për pikturë në Paris. Karriera letrare e Ocampos filloi me botimin në vitin 1937 të librit të saj të parë me tregime, Udhëtimi i harruar, por do të kalonin njëmbëdhjetë vjet, derisa vëllimi i ardhshëm i shkruar në prozë do të shfaqej në formën e Autobiografisë së Irenës (Autobiografia e Irene ) botuar në vitin 1948. Gjatë viteve, megjithatë, Ocampo botoi tre vëllime me poezi, të nderuara me çmime, Radhitjet e atdheut, Hapësira metrike dhe Sonetet e kopshtit. Gjatë gjithë jetës së saj, Ocampo do të vazhdonte të shkruante poezi dhe tregime të shkurtra; ajo në veçanti përmendet sot për tregimet e shumta për fëmijë.

Gjatë viteve 1930, ajo habiti opinionin publik, madje habiti edhe rrethin e saj miqësor, kur ajo u dashurua me një djalë më të ri se veten, Adolfo Bioy Casares, i cili më vonë u bë bashkëshorti i saj. Pas martesës së saj me Bioy Casares, në vitin 1940, Ocampo bashkëpunoi me të dhe mikun e tyre të ngushtë, Jorge Luis Borges, në dy antologjitë letrare. Në dallim nga shumë prej atyre që ishin rreth saj dhe që u bënë ikona kombëtare të brezit të tyre, Ocampo mbeti e dyshimtë ndaj gazetarëve gjatë gjithë jetës së saj, dhe nuk pranoi të merrte pjesë në aspektet e jetës publike si një shkrimtare në karrierë.
Midis shumë çmimeve letrare të fituara gjatë karrierës së saj letrare, Silvina Ocampo u nderua me Çmimin Kombëtar për Poezi në vitin 1962. Ajo vdiq në Buenos Aires në vitin 1993. Vepra e saj është përkthyer në frëngjisht, gjermanisht, anglisht dhe italisht.
/ ObserverKult