Në shoqëritë ku nuk kuptohet dinjiteti i njeriut, me konceptin FTYRË arsyetohet e përligjet dhuna ndaj grave, por dhe vrasja e tyre. Në atë mendësi mendohet se fytyra, pra nderi, rindreqet, rikthehet ose ruhet me vrasje.
Nga Lis Bukuroca
Për ta penguar shpërthimin e dhunës dhe vrasjeve në popull, duhet pikësëpari ndaluar dhunën verbale nëpër debate televizive dhe Kuvende. Aty i dërgohen popullit mesazhe të prishjes morale si normalitet. Aty shpesh nuk i tregohet rinisë çfarë është edukata, por sa fitimprurëse është dhuna verbale dhe rrugaçëria. Gjysmëdija!
Në shtëpi prindërit duhet t’u tregojnë fëmijëve se të bërtitja dhe ofendimi janë dhunë verbale. Se nuk ka fytyrë, por dinjitet. Se dinjiteti ka njeriu, jo vetëm burri: vajza e gruaja. Në shtëpi nis socializimi i një popull. Aty nis ndërtimi i shteti ligjor. Aty nis ndërtimi i lumturisë së një kombi dhe respektimi i dinjitetit të njeriut: i barazisë gjinore.
Pastaj duhet vazhduar me këmbëngulje në Kopshtin e Fëmijëve, shkollë, fakultet dhe në vendin e punës. Njeriu duhet të vazhdojë mësimin. Tërë jetën.
Dhunën e lejon dhe institucianalizon edhe moskallzimi i kriminelit në polici, si dhe mosndjekja serioze nga Prokuroria apo mosdënimi i tij meritor nga Gjykata.
Se shoqëria është korruptuar deri palcë moralisht, shihet edhe te qëndrimet e profesorëve pas kallëzimit të 27 studenteve të profesorit, që për nota, kishte kërkuar seks. Ai profesor ka ushtruar dhunë verbale seksuale. Dhe, nuk e kanë përjashtuar ende. Po përpiqen ta shëlbojnë apo ta dënojnë me kusht.
Ndoshta mundohen ta arsyetojnë me thënien ANTINËNË, ANTIGRUA, ANTIMOTËR, që e kanë mësuar vetë si fëmijë, që e kanë dëgjuar edhe në shtëpi se: “Pa e livrit kuçka bishtin, qeni nuk i shkon pas!”
Ata kanë zbuluar shumë thënie të tilla kobzeza dhe sitgmatizuese, që arsyetojnë dhe satanizojnë gratë. Ata besojnë se nënat e veta e kanë futur edhe dreqin në shishe! Ata shajnë aq rënd edhe nënat e veta, vetëm për të fituar lirinë për t’i dehumanizuar bashkëshortet e veta. Aty gati për çdo gjë fajtore është gruaja. Edhe për breshrin.
Burrat që urrejnë gratë nuk duhet të martohen me gra, por me burra. Nëse i duan burrat. Sot është kjo normale. Njeriu nuk vret kurrë atë që e do.
Dhe, e dini një gjë? Ata profesorë që do të marrin një vendim për atë profesor, shumica absolute nuk i kanë të publikuar doktoratat e tyre. Edhe pse i kanë si pdf. E dini pse? Sepse nuk guxojnë!
ObserverKult