Një “burrneshë” shqiptare rastis të udhëtojë në Londër gjatë një vargu shpalosjesh publike në “London University”. E shoqëruar nga antropologia angleze, Edith, Sose merr pjesë në një performancë të Julianit që ka një alamet nami si “drag queen”. Por teksa nikoqiri britanik ka në mendje vetëm suksesin e vet komercial, përballja me kulturën londineze kthehet në një udhëtim ekzistencial për burrneshën shqiptare .
Mbi këtë sfond kompozicional endet drama “Burrnesha” e dramaturgut, Jeton Neziraj. E botuar në vitin 2018 nga qendra “Multimedia”, ky tekst dramaturgjik tashmë është përkthyer në italisht.
I përkthyer nga Kamela Guza, ky tekst dramaturgjik me titull “Vergine giurata” është përfshirë në përmbledhjen “Drammaturgie Europea Contemporanea. Eurodram 2019”.
Në këtë përmbledhje të botuesit prestigjioz Italian, “Editoria & Spettacolo”, krahas tekstit dramaturgjik të Nezirajt, është përfshirë edhe drama “Quartetto” e dramaturgut nga Hungaria, György Spiró, si dhe “Queen Lea R” e anglezes, Claire Dowie.
E gjithë kjo është mundësuar nga rrjeti evropian i përkthimeve teatrore “Eurodram”, përkatësisht nga komiteti italian në këtë organizim.
“‘Eurodram’ funksionon në atë mënyrë që një vit komiteti gjuhësor zgjedh drama kombëtare. Pra, komiteti italian, në vitin e parë zgjedh drama italiane, kurse në vitin e dytë drama të huaja të përkthyera në italisht. Vjet, ata zgjodhën tri drama, duke përfshirë edhe ‘Burrneshën’, të cilën italisht e ka përkthyer shkëlqyeshëm Kamela Guza”, ka thënë Neziraj për KOHËN.
Po kjo shtëpi botuese, e njohur kryesisht për botimin e titujve dramaturgjikë, në dhjetor të vitit të kaluar kishte botuar librin “Il volo sopra il teatro del Kosovo/5 plays” me pesë tekste dramaturgjike të Nezirajt./koha