
Nga Ilia Madi
I thashë: Buzëqesh!
Ai tha: Qielli është i zymtë dhe i vrenjtur, medet.
Unë: Buzëqesh gjithsesi! Mjaft vrenjtje në qiell!
Ai tha: Rinia më la shëndenë.
Unë: Buzëqesh! Hidhërimi nuk do ta kthejë dot rininë tënde të bjerrë.
Ai tha: Ajo, që ishte qielli im në dashuri, ma molisi shpirtin; dashurinë ma bëri skëterrë. Tradhtoi premtimet, pasi zemrën e bëra pronë të sajën. Si të buzëqesh, pra?
Unë: Buzëqesh! Shijo ditën dhe natën! Nëse u zhyte në plagën që të ka shkaktuar, e gjithë jeta do të kalojë në vuajtje.
Ai tha: Tregtia është në trazirë të pa cep, si ai udhëtari që etja sa s’po e vret, ose vasha me tuberkuloz që ka nevojë për gjak dhe e pështyn jetën kur gulçon sadopak.
Unë: Buzëqesh! Nuk ia solle ti lëngatën, e as nuk do të jesh ti ai që vajzën e shëron. Por nëse buzëqesh, ndofta e bën. Po qe fajtor një tjetër, a do të humbësh gjumin ti duke u merakosur sikur të ishe fajtori?
Ai tha: Britmat e armiqve të mi gjëmojnë rreth meje pa pushim. Si të gëzohem, kur armiqtë vijnë përreth?
Unë: Buzëqesh! Ata s’të ndjekin për një krim që e kryer; dhe as po të mos ishe më i vyer.
Ai tha: Gazmendet paraqesin shpalljet e tyre, duke i shfaqur në rroba dhe lodërza. Kam detyrime ndaj të dashurve të mi, por në pëllëmbë nuk më rri asnjë dyshkë.
Unë: Buzëqesh! Të mjafton që ende gjallon, dhe miqve të dashur nuk iu mungon.
Ai tha: Të kapërdij pelin të hidhur, netët më kanë detyruar.
Unë: Buzëqesh! Edhe kur ke pirë pelin të hidhur, sikur të tjerët të të shihnin në gazmend duke kënduar, trishtimin do ta linin mënjanë dhe këngën për ta vijuar. Nga ankesat a do të fitosh ndonjë qindarkë? Apo do të humbësh ndonjë gjëkafshë nga buzëqeshja? O miku, nuk ka asnjë rrezik për buzët e tua, nëse çahen apo plasariten. Qesh, se yjet qeshin kur nata është më e errët. Bash për këtë arsye i duam ato yje.
Ai tha: Buzëqeshja asnjë qenie nuk e bën dot të gëzuar, që vjen në këtë botë dhe largohet i detyruar.
Unë: Buzëqesh! Përderisa nga vdekja të ndan vetëm një interval i shkurtër; kur të kesh vdekur, s’ke për të buzëqeshur më.
Përktheu: Agron Islami
ObserverKult
Lexo edhe:






