“Ca pika shiu ranë mbi qelq…”, poezinë e Ismail Kadaresë e lexon Leka Sefla

Ca pika shiu ranë mbi qelq,
Për ty unë befas ndjeva mall,
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi, sa rrallë.

Edhe m’u duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.
Qiejt e ngrysur pa lejlekë
Dhe shirat pa ylberë në mes.

Dhe thënia e vjetër e Heraklitit
Seç m’u kujtua sot për dreq:
“Të zgjuarit janë bashkë në botë,
Kurse të fjeturit janë veç”.

Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,
Që dot s’po zgjohemi ne vallë ?…
Ca pika shiu ranë mbi qelq
Dhe unë për ty seç ndjeva mall.


Lexo edhe:

“KËTË GRUA DIKUR E KAM LËNDUAR…”, LEKA SEFLA LEXON POEZINË E SOKRAT HABILAJ