Çahen muret, Manastiri i Ardenicës rrezikon shembjen! Drejtori i muzeut: I lutem Edi Ramës për ndërhyrje urgjente

Manastiri i Ardenicës në Lushnje rrezikon shembjen! Muret janë çarë për shkak të erozionit të tokës dhe plasaritjeve nga tërmeti. Drejtori i Muzeut Niko Ferro dhe kryetarja e Bashkisë së Lushnjës Eriselda Sefa thanë për Report TV se kërkohet ndërhyrje emergjente nga Ministria e Kulturës.

Manastiri i Ardenicës i cili është një ndër pikat më atraktive të turizmit kulturor në zonën e Myzeqesë rrezikon të shembet.

Për shkak të erozionit të tokës por dhe dëmtimeve nga tërmeti i para 4 viteve janë çarë muret. Kërkohet ndërhyrje e menjëhershme për konservim dhe restaurim, tha drejtori i Muzeut Historik të Lushnjes.

“Tërmeti i 29 nëntorit ka lënë pasoja. Manastiri ka pësuar dëmtime të mëdha në murin perëndimor. Duhet ndërhyrje e menjëhershme. Kjo pasuri 10 shekullore rrezikon të shembet. Duhet ndërhyrë për të ruajtur kujtimin e shkollës së parë shqipe dhe të bibliotekës. Aty ka vënë kurorë Gjergj Kastrioti Skenderbeu”.

Përmes Report TV, drejtori i muzeut, profesor Niko Ferro i drejtohet drejtpërdrejt Kryeministrit Edi Rama.

 “I drejtohem Kryeministrit të ndërhyjë. Kjo pasuri rrezikon të zhduket. Muri ka pësuar shembje po ashtu dheu ka rrëshqitur”.

“Bashkia e Lushnjes i është drejtuar me shkresë zyrtare Institutit të Monumenteve, por të mos mbetemi tek shkresat. Po e përsëris, duhet ndërhyrje urgjente”.

Kryetarja e Bashkisë së Lushnjes, Eriselda Sefa tha për Report TV se ka njoftuar zyrtarisht Ministrinë e Kulturës dhe atë të Turizmit për rrezikun që i kanoset këtij monumenti të trashëgimisë kulturore.

 “I kemi kërkuar Ministrisë së Kulturës dhe të Turizmit. Ministria e Kulturës duhet të merret me këtë. Jemi në pritje të përgjigjes”, tha Sefa.

Në një sipërfaqe që sot zë 2.500 metra katrorë, manastiri u ndërtua në vitin 1282 dhe u pasurua përgjatë shekujve. Në prill të 1451, Skënderbeu u kurorëzua në martesë me Donikën në altarin e këtij manastiri. Kisha e Shën Mërisë është dhe godina më imponuese e gjithë manastirit bizantino-ortodoks./ Report tv

ObserverKult


Lexo edhe:

LIBRA SHQIP PËR MANASTIRIN/ NISMA E STUDENTES SHQIPTARE PËR HAPJEN E BIBLIOTEKËS NË SHTËPINË KU LINDI ALFABETI I GJUHËS SHQIPE

Megjithëse qyteti i Manastirit në Maqedoninë e Veriut është shtëpia ku u vendos alfabeti i gjuhës shqipe, atje mungon një bibliotekë me libra shqip.

Nisma është ndërmarrë nga një studente shqiptare, Emira Selimi, në shtetin fqinj përmes rrjeteve sociale, përmes të cilës u ka bërë thirrje shqiptarëve të kontribuojnë.

Ajo tha se për vite të tëra është penguar hapja e një gjimnazi me gjuhën shqipe.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult